Greqia ka propozuar themelimin e një sistemi paneuropian të mbrojtjes ajrore, ka njoftuar kryeministri Kyriakos Mitsotakis në një intervistë të transmetuar të enjten nga stacioni i televizionit Skai, transmeton DPA..
Kreu i qeverisë në Athinë ka thënë se ka prezantuar këtë propozim tashmë kolegëve të tij në Bashkimi Evropian.
“Mendoj për një sistem europian të mbrojtjes ajrore që do të mbrojë të gjitha vendet evropiane nga çdo kërcënim,” tha Mitsotakis. Sipas tij, ky sistem do të funksiononte në një mënyrë të ngjashme me sistemin izraelit të mbrojtjes nga raketat Iron Dome (Kupola e Hekurit).
Kryeministri grek shtoi se për financimin e këtij projekti do të duhej të përdoren instrumente financiare të Bashkimit Evropian.
Izraeli përdor sistemin e mbrojtjes ajrore Iron Dome për të ndaluar raketat me rreze të shkurtër të veprimit të nisura nga militantët palestinezë në Bandën e Gazës.
Forcat e mbrojtjes izraelite (IDF) gjithashtu disponojnë sistemet antiraketë David’s Sling (Praştia e Davidit), i cili është zhvilluar në bashkëpunim me SHBA-në dhe është i destinuar për të ndaluar raketat me rreze të mesme të veprimit të llojit të atyre që posedon organizata hezbollahite në jugun e Libanit, dhe Arrow (Shigjeta), i aftë për të ndaluar raketat me rreze të gjatë të veprimit.