Deklarata e presidentes Gordana Siljanovksa Davkova, gjatë betimit si presidente, e cila në vend të emrit kushtetues Republika e Maqedonisë së Veriut tha vetëm Maqedonia ka shkaktuar reagime të shumta. Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis e ka vlerësuar si të paligjshme dhe të palejueshme. Në profilin e tij në Facebook, Mitsotakis ka shkruar se zgjedhja provokuese e presidentes së re të Maqedonisë së Veriut për të shkelur tekstin zyrtar të betimit dhe siç thotë ai, quajtja e vendit të saj me një emër tjetër, është një nismë e paligjshme dhe e palejueshme.
KYRIAKOS MITSOTAKIS, KRYEMINISTËR I GREQISË
“Një akt që shkel Marrëveshjen e Prespës dhe vetë Kushtetutën e vendit të saj. Ne deklarojmë kategorikisht se nuk do të pranojmë lapsuze të tilla dhe përsërisim se çdo përparim në marrëdhëniet dypalëshe, si dhe çdo hap i Shkupit drejt Evropës, varet nga respektimi i sinqertë i marrëveshjes, nga përdorimi korrekt i emrit kushtetues të shtetit fqinjë dhe natyrisht nga shmangia e provokimeve”.
Presidenti bullgar Rumen Radev tha se Bullgaria nuk pranon deklarata dhe sjellje që bien ndesh me Marrëveshjen për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim të vitit 2017, si dhe marrëveshje të tjera ndërkombëtare që ka nënshkruar RMV.
RUMEN RADEV, PRESIDENT I BULLGARISË
“Bullgaria vazhdimisht dhe qartë e shpreh qëndrimin e saj se marrëveshjet duhet të zbatohen. Ju rikujtoj se RMV është një vend anëtar i NATO-s, nga i cili burojnë detyrimet dhe përgjegjësitë përkatëse. Jam i bindur se perspektiva evropiane e RMV-së varet nga implementimi i plotë i marrëveshjeve ndërkombëtare në të cilat është anëtare, si dhe nga marrëveshja e miratuar nga Këshilli Evropian në korrik të vitit 2022”.
Ndërkaq nëpërmjet një reagimi me shkrim ministria e punëve të jashtme e RMV-së, bëri thirrje për kujdes nga të gjithë aktorët politikë, veçanërisht funksionarët e zgjedhur shtetëror. Nga atje thonë se ruajtja e kursit euroatlantik të vendit është interes themelor strategjik dhe garantues i sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë të vendit.
MINISTRIA E PUNËVE TË JASHTME
“Ministria e Punëve të Jashtme konfirmon orientimin e qartë të vendit në respektimin pa mëdyshje të dispozitave kushtetuese si dhe të të gjitha obligimeve të ndërmarra ndërkombëtarisht, si respektimi i plotë i Marrëveshjes për Partneritet Strategjik ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Greqisë, e njohur si Marrëveshja e Prespës”.
Reagime lidhur me këtë situatë kishte ditën e djeshme edhe nga partitë politike të vendit dhe nga ministri i drejtësisë Krenar Lloga i cili tha se mos respektimi i emrit kushtetues të shtetit e bën betimin e Siljanovskës të pa vlefshëm.