Ditën e sotme ekipi i gazetarëve të A2 CNN është bllokuar në Doganën e Kapshticës, teksa është nisur për në Greqi, për tubimin e ditës së nesërme të kryeministrit Edi Rama në Selanik.
Pala greke i ka lënë në pritje ekipin e gazetarëve dhe operatorëve, duke i thënë se presin një autorizim nga Ministria e Drejtësisë.
“Prej më shumë se 60 minutave ekipi i A2 CNN ndodhet në Doganën e Kapshticës nga pala greke, pasi Policia greke nuk na lejon të kalojmë pa marrë një autorizim nga Ministria e Jashtme e Greqisë.
Edhe pse ditën e sotme ka pasur një notë verbale me emrat e gazetarëve dhe ekipeve të mediave që do të kalonin sot nga kjo pikë doganore, sërish policia po na lë në pritje për një përgjigje nga Ministria e Jashtme greke.
Deri më tani ende nuk dimë asgjë se çfarë do të ndodhë, por kjo është e paprecedentë sepse në maj të këtij viti, ekipi i A2 CNN ka udhëtuar drejt Greqisë dhe nuk ka pasur asnjë lloj problemi”, tha gazetarja e A2 CNN, Fjorela Beleshi.