Lëvizja Vetëvendosje, e cila udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti, njihet për gjuhën e ashpër në drejtim të zyrtarëve të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Demokracia.com sjellë në kujtesë disa nga kritikat, akuzat dhe fyerjet të cilat eksponentët e lartë të Vetëvendosjes i bënë ambasadorit Richard Grenell.
Kurti në vazhdimësi qëndroi në anën e kundërt të politikës amerikane.
Marrëveshjen e Rambujesë, të cilën e kishte mbështetur administrata e presidentit Klinton, ai e kishte kundërshtuar.
Madje, kur presidenti amerikan Bush kishte premtuar se SHBA-ja do ta njoh pavarësinë e Kosovës, Kurti e kishte quajtur gënjeshtar.
Kryeministri Kurti e kishte kundërshtuar edhe presidentin Obama sa i përket marrëveshjes së demarkacionit, shkruan Demokracia.com.
Madje në protestën e Vetëvendosjes ishte lënduar fizikisht edhe ambasadorja e SHBA-së, Tracey Jacobson, ku ambasada e SHBA-së e kishte publikuar edhe fotografinë në llogarinë e tyre në Twitter/X.
Kurti brutalisht e kishte kundërshtuar edhe sekretaren Albright, duke e kërcënuar me protesta.
Të gjithë zyrtarët amerikanë ishin akuzuar e kritikuar disa herë nga ana e Vetëvendosjes, por Richard Grenell ishte akuzuar, kritikuar e fyer në vazhdimësi, pavarësisht se nën administrën Trump, Kosova e formoi ushtrinë dhe u njoh nga shteti i Izraelit.
Kryeministri Kurti përpos që ishte tallur me orientimin e tij seksual, në një reagim tjetër në llogarinë e tij në Facebook e kishte quajtur Grenellin kauboj, të cilit, sipas tij, nuk i intereson për vuajtjet e shqiptarëve.
Me ambasadorin Grenell ishte tallur edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca. Konjufca kishte injoruar ambasadorin Grenell, duke thënë se kryeministri Kurti nuk ka kohë për t’u marrë me të, sepse ai nuk është i rëndësishëm.
Në vazhdën e sulmeve dhe kritikave, kryediplomatja e tanishme, Donika Gërvalla, kishte thënë se Grenell mbetet vetëm një episod i shkurtër dhe i shëmtuar për vendin tonë.
Pasi Trump humbi zgjedhjet në vitin 2020, deputeti i LVV-së, Dimal Basha, e kishte quajtur Grenellin palaço, të cilin nuk e dëgjon askush më.
Njeriu i dytë i Grupit Parlamentar të VV-së, Armend Muja, e kishte quajtur serbofil dhe mashtrues tipik ambasadorin Grenell. Ai në disa reagime në llogarinë e tij në Facebook e kishte kritikuar ambasadorin Grenell.
Këshilltari i Kurtit, Hysamedin Feraj, e kishte quajtur Grenellin proserb.
Po ashtu, këshilltari tjetër i kryeministrit Kurti, Elvis Hoxha, kishte thënë se Vetëvendosje fitoi kundër aparatit Pronto-Grenell oligark e mediatik.
Deputetja e VV-së, Arbëreshë Kryeziu, kishte publikuar një fotografi të Thaçit dhe Grenellit, duke thënë se shkëmbimi u mbeti në fyt.
Tallje pas tallje e kritikë pas kritike, zëvendësministri Avni Zogani shkoi deri aty saqë e quajti Grenellin edhe antiamerikan.