Në tetor bëhen katër vjet që nga arrestimi i ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.
Kur kanë kaluar kaq shumë kohë prej arrestimit, Prokuroria e Specializuar e Hagës, ende nuk ka arritur as në gjysmën e dëshmitarëve që synon t’i ftojë për të dëshmuar.
Pak ditë më parë, u bë hera e 16-të që trupi gjykues në Hagë ua vazhdoi paraburgimin Hashim Thaçit e Kadri Veselit. Megjithatë, në vendimin e fundit pati një detaj interesant.
Aty, gjyqtarët e Speciales me vendim, e pranojnë se Thaçi e Veseli kanë qëndruar për kohë të gjatë në paraburgim, e gjykimi gjithashtu rrezikon të zgjatet edhe më shumë. Andaj, në një fjali ata paralajmërojnë se në ndërkohë, do të vlerësojnë nëse paraburgimi është i nevojshëm dhe i arsyeshëm. Kjo duke marrë parasysh këto vonesa.
“Megjithatë, Paneli thekson se z. Thaçi/Veseli tashmë ka qenë në paraburgim për një periudhë të konsiderueshme kohore dhe se gjykimi në këtë rast është i gjatë. Siç ka treguar më parë Paneli, kjo do të kërkojë që Paneli, si dhe të gjitha palët, të jenë veçanërisht të ndërgjegjshëm për nevojën për të siguruar që gjykimi të vazhdojë sa më shpejt që të jetë e mundur. Paneli do të vazhdojë të monitorojë në çdo fazë të këtyre procedurat nëse paraburgimi i vazhdueshëm është i nevojshëm dhe i arsyeshëm”, thuhet në vendim.
Trupi gjykues ua ka vazhduar paraburgimin edhe Hashim Thaçit edhe Kadri Veselit. Kjo duke u bazuar në kërkesën e Prokurorisë së Hagës.
Arsyet mbeten të njëjta edhe pas 4 vjetësh. Rreziku i ndikimit në dëshmitarë, rreziku i dëmtimit të provave, dhe fuqia që kanë katërshja në skenën publike në Kosovë.
Pavarësisht institimit të Prokurorisë, trupi gjykues ka konstatuar se më nuk ka rrezik të arratisjes për asnjërin prej krerëve të UÇK-së në rastin kryesorë.
“Duke iu referuar gjetjeve të mëparshme të këtij Paneli, PSP-ja parashtron se: (i) rreziqet përkatëse mund të menaxhohen në mënyrë efektive vetëm në objektin e paraburgimit; 57 (ii) asnjë nga kushtet e propozuara, as ndonjë masë shtesë e parashikuar në nenin 41(12), nuk mund të zbuste mjaftueshëm rreziqet ekzistuese; 58 (iii) vetëm përmes kornizës së monitorimit të komunikimit të aplikueshëm në objektin e paraburgimit komunikimet e z. Thaçi mund të kufizohen në një mënyrë që do të zbuste mjaftueshëm rreziqet e pengimit dhe kryerjes së krimeve të mëtejshme”, thuhet në vendim.
“Lidhur me rreziqet e pengimit të progresit të procedurave të GjD-së dhe kryerjes së krimeve të mëtejshme, Paneli konstaton se asnjë nga kushtet e propozuara më parë, as ndonjë masë shtesë e paraparë në nenin 41(12), nuk mund të zbuste mjaftueshëm rreziqet ekzistuese. Për më tepër, Paneli konstaton se masat e vendosura në objektin e paraburgimit, të konsideruara në tërësi, ofrojnë garanci të forta kundër vizitave dhe komunikimeve të pamonitoruara me anëtarët e familjes dhe vizitorët e aprovuar paraprakisht me qëllim të minimizimit të rreziqeve të pengimit dhe kryerjes së mëtejshme të krimeve”, specifikohet më tutje.
Trupi gjykues ka bërë thirrje disa here te Prokuroria ta shpejtojë rastin, megjithatë ende nuk është marrë asnjë masë.