Ilir Meta, ish-president i Republikës së Shqipërisë, hipi në furgonin e togës së shoqërimit me një status që nuk e ka pasur asnjëherë në jetën e tij, atë të të paraburgosurit.
Gjykata e Posaçme la në fuqi masën “arrest në burg” të dhënë më herët ndaj tij, pas dyshimeve të SPAK se Meta në disa episode në detyrat shtetërore që ka mbajtur është korruptuar, ka pastruar para dhe ka fshehur pasuri.
Për të dyshuarën e SPAK si partneren e tij në krim, Monika Kryemadhi, bashkëshorten me të cilën Meta është në proces divorci, gjykata konfirmoi masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”.
Për seancën e caktuar më 9:30 të mëngjesit, Ilir Meta mbërriti me pranga në Gjykatë, ndërsa Monika Kryemadhi pati mundësi edhe të shfaqte ankesa. Pjesa e parë e seancës, para se të ndërpritej me 3 orë për t’i dhënë kohë të dyshuarve dhe avokatëve të njihen me dosjen u shoqërua me tone të forta nga ana e Ilir Metës.
Përballë prokurorëve, Altin Dumani, Arben Kraja e Sotir Kllapi, por me xhamin e kafazit të sallës në mes, ish-presidenti shpërtheu në akuza, kur një nga prej tyre relatoi se arrestimi i tij ishte kryer konform ligjit. “Kujt i flet për normalitet ti e zbatim ligji ti, mua më tërhoqën zvarrë. Më keni arrestuar me urdhër të narko-shtetit”, mësohet të ketë pohuar me tone të larta Meta.
Me tej, sipas burimeve, ai ka hedhur akuza ndaj trupës së prokurorëve, pa kursyer as etiketimet “Dum duman” apo “sorosistë”. Veç tensionit ndaj prokurorëve, jo pak tension është ndjerë në sallë edhe mes Metës dhe Monika Kryemadhit.
Vetë kjo e fundit la menjëherë nga salla në ndërprerje të seancës, pa e fshehur as publikisht arsyen: “Është provokim”.
Pretendimet e SPAK kundër saj në dosjen hetimore për Kryemadhin ishin thashetheme e të pa baza, ndërsa për mbrojtje përdori sulmin. Monika Me rifillimin e seancës Meta e kryemadhi, por dhe avokatët e tyre zbrazën argumentet e tyre kundër akuzave dhe masave të sigurisë, por pa mundur të bindnin gjykatën për të ndryshuar vendim.
Jashtë sallës, edhe pse ju referua si ish-bashkëshort, Kryemadhi shfajësoi Ilir Metën nga akuzat e SPAK. Pas daljes nga gjykata, Ilir Meta u shoqërua drejt bllokut të sigurisë e mandej në burgun 313 ku do të vuajë paraburgimin.
Në seancën e së mërkurës, gjykata la në fuqi masën “detyrim për paraqitje” për të bashkëakuzuarën e Metës e Kryemadhit, Ema Çoku, të akuzuar për “pastrim të parave” ndërsa liroi nga “arresti në shtëpi” në “detyrim për paraqitje” Pirro Xhixhon, të akuzuar për “korrupsion”, raporton A2 CNN.