Gjykata Kushtetuese do të vendos sot në lidhje me kërkesat e bëra pranë saj për shfuqizimin e ligjit për tatimin e profesioneve të lira.
Partia Demokratike, ekspertët e licencuar, kontabilistët dhe avokatët, (kërkesat e të cilëve u bashkuan në një të vetme) kërkojnë shfuqizim e pjesshëm të ligjit me argumentin se është diskriminues, rëndon shtresën e mesme dhe nuk është në përputhje me Kushtetutën.
Sipas ankuesve tatimi i profesionistëve ka mbyllur qindra biznese, cenon sigurinë e bizneseve dhe do të shtrenjtojë shërbimet që ofrojnë.
Në parashtrimin e argumenteve më 18 qershor, palët paditëse kanë sqaruar se nuk mund të krahasohen profesionistët e lirë me bizneset tregtare pasi nuk e kanë të garantuar fitimin.
Ndërsa Kuvendi, Këshilli i Ministrave dhe Ministria e Financave u shprehën se pretendimet e tyre janë të pabazuara, pasi favorizimet në taksa nuk mund të zgjasin përjetë dhe se me këto ndryshime shmangen abuzimet.
Janë 25 mijë profesionistë sipas tatimeve që preken nga ligji i ri hyri në fuqi më 1 janar të këtij viti dhe nga tatimi me fasha 15% kush ka fitim deri 14 milionë lekë dhe 23% kush fiton mbi këtë shumë.