Ministria e Punëve të Jashtme ka reaguar pas caktimit të masës së paraburgimit ndaj ish-ushtarit të UÇK-së, Blerim Ramadanit, nga Gjykata Themelore në Shkup.
MPJ-ja tha se ambasada e Kosovës në Shkup është angazhuar me ekip të ekspertëve juridik për lirimin sa më të shpejt të Ramadanit, i cili u arrestuar në bazë të një flet-arresti të lëshuar nga Gjykata e Beogradit, përmes Interpol Serbia.
“Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup është angazhuar me ekip të ekspertëve juridik për lirimin sa më të shpejtë të z. Ramadani dhe kthimin e tij në familje. MPJD dhe institucionet e Kosovës do të përdorin të gjitha kanalet diplomatike për të siguruar lirimin e shtetasit tonë”.
“Blerim Ramadani është ndaluar më 17 korrik 2024 në pikëkalimin kufitar Jazhincë, bazuar në një fletë arresti të lëshuar nga Gjykata e Beogradit, përmes INTERPOL Serbia, me pretendimin për krime lufte në verën e vitit 1999 në rajonin e Nerodimës”, thuhet në reagimin e MPJ-së.
Ramadani, pas caktimit të masës së paraburgimit prej 30 ditëve, do të dërgohet në burgun e Shutkës.