Qytetarët e Kosovës sot nga ora 07:00 votojnë për zgjedhjet parlamentare, nga ku do të zgjedhin 120 ligjvënës mes 28 subjekteve politike në garë, zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë. Partitë politike tashmë kanë përmbyllur fushatën zgjedhore.
Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1.280 kandidatë.
Në mesin e 28 subjekteve politike janë 20 parti politike, pesë koalicione, dy iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur. Në mesin e këtyre subjekteve, përpos partive shqiptare, marrin pjesë edhe subjekte politike nga komuniteti serb, turk, boshnjak dhe komunitete të tjera më të vogla në vend.
Numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote është 2.075.868 votues, prej të cilëve 1.970.944 votues janë votues që i takojnë Listës Votuese brenda Kosovës dhe 104.924 votues janë pjesë e Listës Votuese jashtë Kosovës. Numri i votuesve të rinj që do të mund të votojnë për herë të parë është 125.852.
Numri i qendrave të votimit të cilat parashihet të hapen sot është 941, prej të cilave 903 për votimin e rregullt, me gjithsej 2.533 vendvotime, dhe 38 qendra të votimit për votimin me kusht (nga një për çdo komunë), me gjithsej 56 vendvotime.
Për dallim nga zgjedhjet e kaluara, kur heshtja zgjedhore fillonte një ditë para votimeve, me ndryshimet ligjore të këtij viti, ajo tashmë ka nisur para hapjes së qendrave të votimit – pra nesër, në orën 07:00 dhe do të zgjasë deri në mbylljen e tyre, në orën 19:00.
Në këto zgjedhje, qytetarët me të drejtë vote kanë mundësinë që të zgjedhin një subjekt politik dhe deri në dhjetë kandidatë për deputetë, ndryshe nga votimet e kaluara kur mundësia ishte të zgjidheshin vetëm deri në pesë kandidatë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se tashmë ka përfunduar të gjitha përgatitjet për mbarëvajtjen e këtij procesi.
Në këto zgjedhje, për herë të parë, misionet diplomatike të Kosovës janë kthyer në qendra votimi. 16 ambasada dhe 14 konsullata të Kosovës janë hapur sot, në të cilat më shumë se 20 mijë mërgimtarë të regjistruar kanë mundur të votojnë.
Nga 20 mijë e 324 të regjistrues për të votuar në përfaqësi diplomatike për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, siç bëri të ditur KQZ, deri në orën 19:00, të drejtën e votës e shfrytëzuan mbi 70 për qind e tyre.
Siç ka njoftuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nga kjo shifër kanë votua 14 mijë e 463 qytetarë, pa i përfshirë qendrat e votimit në Washington, Otavë, Toronto dhe New York.
Fushata zgjedhore e këtij viti u karakterizua me gjuhë të ashpër, ndërsa Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka shqiptuar mijëra euro gjoba për partitë politike. Partia në pushtet aktualisht ka numrin më të madh të gjobave nga Paneli për Ankesa dhe Parashtresa.
Me gjithë përdorimin e gjuhës së ashpër nga partitë politike gjatë tubimeve elektorale, nuk është shënuar ndonjë incident.
Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit do të monitorohen edhe nga mbi 100 vëzhgues të Bashkimit Evropian, të cilët vijnë nga 18 vende të ndryshme të BE-së, me qëllim të “ruajtjes së standardeve demokratike”, me ftesë nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008. Deri më tani, në vend janë mbajtur një sërë zgjedhjesh të parakohshme.