Gjermania bëri thirrje për sanksione shtesë të Bashkimit Evropian (BE) kundër Iranit për shkak të mbështetjes së saj për Rusinë dhe sulmeve të saj me raketa hakmarrëse ndaj Izraelit, raporton Anadolu.
Ministrja gjermane për Evropën, Anna Luhrmann, akuzoi Iranin për destabilizimin e Lindjes së Mesme, duke nisur sulme kundër Izraelit dhe duke ofruar mbështetje për grupet që luftojnë Izraelin.
“Ne nuk mund t’i lëmë të gjitha këto pa përgjigje dhe për këtë arsye do të diskutojmë se si mund të përgjigjemi me sanksione të reja”, u tha ajo gazetarëve në Luksemburg, përpara mbajtjes së takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së.
Ajo gjithashtu kritikoi Iranin për furnizimin të Rusisë me armë dhe raketa balistike dhe tha se ministrat e BE-së do të miratojnë sot sanksione të reja kundër subjekteve iraniane të përfshira në këto transferime armësh.
“Irani po i ofron mbështetje Rusisë në luftën e saj brutale kundër Ukrainës, prandaj ne do të vendosim sot sanksione të reja kundër Iranit, gjithashtu në këtë kontekst”, tha Luhrmann.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje nga një gazetar, ministrja tha se Korpusi i Gardës Revolucionare të Iranit duhet të klasifikohet si një organizatë terroriste nga BE-ja.
“Qeveria gjermane ka bërë fushatë prej kohësh që Garda Revolucionare e Iranit të klasifikohet si një organizatë terroriste dhe tani është koha që BE-ja të hapë rrugën për këtë”, u shpreh ajo.
Gjermania ka qenë aleat i palëkundur i Izraelit dhe zyrtarët e qeverisë gjermane kanë thënë vazhdimisht se vendi mban përgjegjësi të veçantë për sigurinë e Izraelit për shkak të së kaluarës së tij naziste.
Por, qeveria ka qenë nën presion në rritje muajt e fundit për shkak të përdorimit joproporcional dhe pa dallim të forcës nga ushtria izraelite në Gaza, Bregun Perëndimor dhe Liban.
Në një sondazh të fundit nga transmetuesi publik ARD, 57 për qind e gjermanëve thanë se veprimet ushtarake të Izraelit në Gaza “kanë shkuar shumë larg”, ndërsa 68 për qind kundërshtuan ofrimin e mbështetjes ushtarake për Izraelin. Vetëm 21 për qind shprehën mbështetje për Izraelin.