Në intervistën për “360 gradë”, pas përfundimit të zgjedhjeve të dyfishta presidenciale dhe parlamentare, ambasadorja gjermane Petra Dekseler shpjegon se cilat janë pritshmëritë e Berlinit nga presidentja e re dhe nga qeveria e ardhshme që do të udhëhiqet nga VMRO-DPMNE. Sipas saj, e rëndësishme është që qeveria e ardhshme të vazhdojë drejtimin e qartë strategjik në politikën e jashtme të vendit dhe të zbatojë me vendosmëri dhe besueshmëri hapat e nevojshëm në rrugën drejt BE-së, transmeton Portalb.mk.
Në pyetjen se a ndryshon diçka në qëndrimin e Gjermanisë ndaj vendit pas zgjedhjeve që sollën një ndryshim tektonik në skenën politike në Maqedoninë e Veriut, ajo thotë se Gjermania gjithmonë do të jetë mbështetëse e vendit.
“Para së gjithash, dy vendet tona janë të lidhura nga një partneritet i sigurt: si aleatë të NATO-s ne jemi të lidhur ngushtë, pastaj përmes lidhjes së ekonomive tona, përmes shkëmbimeve të ngushta në të gjitha nivelet në shoqëritë tona, për shembull, dhe përmes parlamentet. Dhe, natyrisht, ne duam të kemi bashkëpunim të ngushtë me qeverinë e ardhshme të Maqedonisë së Veriut, e cila ende nuk është formuar. Do të jetë e rëndësishme nëse qeveria e ardhshme do të vazhdojë drejtimin e qartë strategjik në politikën e jashtme të vendit dhe do të zbatojë me vendosmëri dhe besueshmëri hapat e nevojshëm në rrugën drejt BE-së. Besoj se mund të mbështeteni te Gjermania që të vazhdojë të mbështesë menjëherë vendin tuaj”, tha Dekseler.
Ajo shton se Gjermania është shumë e vetëdijshme për përpjekjet e mëdha që Maqedonia e Veriut ka ndërmarrë tashmë në procesin e anëtarësimit në BE, duke shtuar se përvojat e këtij procesi kanë një efekt të mëvonshëm në shoqëri.
“Mendoj se do të bëhet problem kur skepticizmi të kthehet në dorëheqje. Ndonjëherë kam përshtypjen se besimi në efikasitetin e veprimit politik në vend në tërësi është i ulët. Për të rifituar këtë besim, ata që do të mbajnë përgjegjësinë politike për vendin në të ardhmen do të duhet t’i kthejnë me zgjuarsi dhe energji reformat dhe premtimet e shpallura në veprime”, tha Dekseler.
Lidhur me qëndrimin e VMRO-DPMNE se do të kërkojë ndryshim të kushteve dhe garanci se nuk do të ketë bllokime për çështjet e identitetit gjatë negociatave për anëtarësim në mënyrë që të mbështesë amendamentet kushtetuese, Dekseler shton se zbatimi i ndryshimeve kushtetuese duhet bërë patjetër, pasi korniza e negociatave tashmë është krijuar.
“Mendoj se nga ana gjermane ne vazhdimisht kemi treguar se sa e vlerësojmë identitetin maqedonas, kulturën maqedonase dhe gjuhën maqedonase. Këtë e theksoi edhe një herë Bundestagu me një rezolutë vitin e kaluar. Dhe mendoj se pikërisht përmes procesit të anëtarësimit në BE, gjuha maqedonase fitoi rëndësi të veçantë përtej kufijve të saj. Në të njëjtën kohë, është gjithashtu e qartë – Maqedonia e Veriut ka rënë dakord me të gjitha vendet anëtare të BE-së për Kornizën Negociative për negociatat e anëtarësimit me BE-në. Kjo Kornizë Negociative është krijuar dhe kjo përfshin zbatimin e ndryshimeve kushtetuese. Mendoj se Korniza ekzistuese e negociatave tashmë ofron garancinë më të mirë”, tha ambasadorja.
Ajo beson se marrëveshjet detyruese sipas ligjit ndërkombëtar do të respektohen nga qeveria e ardhshme. Dekseler thotë se vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin BE-së.
“Nga perspektiva gjermane, është mjaft e qartë. Maqedonia e Veriut, vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin BE-së. Ne nuk duam dhe nuk mund të përballojmë zona gri në Evropë. Ne duam të punojmë së bashku për ta bërë Bashkimin tonë Evropian edhe më të fortë. Është mjaft e qartë, për ne, Maqedonia e Veriut i përket BE-së”, tha ambasadorja gjermane.
Reagime për Marrëveshjen e Prespës nisën të vijnë, pasi presidentja e re e Maqedonisë së Veriut Gordana Siljanovska Davkova, gjatë dhënies së betimit, nuk e përdori emrin zyrtar “Maqedonia e Veriut” ashtu siç është rënë dakord me Marrëveshjen e Prespës, por e përdori vetëm emrin “Maqedoni”. Ndaj këtij veprimi menjëherë reagoi pala greke, opinioni vendas dhe ndërkombëtar, çka bëri që presidentja e Maqedonisë së Veriut, Siljanovska Davkova të pranojë t’i përmbahet aplikimit zyrtar të emrit kushtetues. Reagimet janë edhe si pasojë e fitores së VMRO-së e cila vazhdimisht është shprehur kundër kësaj marrëveshjeje.
Zbatimi i Marrëveshjes së Prespës është e një rëndësie të madhe, pasi menjëherë pas arritjes së saj Maqedonia e Veriut u bë anëtare e NATO-s. Vendi gjithashtu ka qenë kandidate anëtarësimi në BE që nga viti 2005 dhe fillimi i bisedimeve të anëtarësimit u shty për shkak të konfliktit të emrit me Greqinë.