Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka mbështetur deklaratën Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, i cili deklaroi të mërkurën se Gjykata Kushtetuese është i vetmi institucion që mund ta vlerësojë draft-statutin e Asociacionit.
Rohde ka thënë se Kosovës nuk po i kërkohet implementimi i plotë i Asociacionit, por një hap të parë në këtë drejtim, e që është dërgimi i draft-statutit në Kushtetuese.
“E kam thënë publikisht shumë herë…Ne nuk po kërkojmë implementim të plotë të Asociacionit. Ne po kërkojmë për hapin e parë të dukshëm. Dhe ky është dërgimi i draft-statutit te Gjykata Kushtetuese e juaj. Sepse, siç tha kolegu im amerikan dje, Gjykata Kushtetuese është i vetmi institucion në këtë planet, që ka kompetenca të kontrollojë këtë draft-statut, asnjë institucion tjetër. Nëse Kosova nuk e bën këtë, është lehtë për palën tjetër të thotë nuk bëjmë gjë. Sepse draft-statutin për Asociacionin është e vetmja gjë që Kosova duhet të bëjë”, ka thënë Rohde në një intervistë për Tëvë1.
Ai ka thënë nëse një gjë e tillë nuk bëhet do të ketë pasoja për Kosovën dhe mosanëtarësimi në Këshillin e Evropës sipas tij është një.
Edhe disa ditë më parë, Rohde ka shpërndarë një deklaratë të kancelarit gjerman Olaf Scholz i cili gjatë vizitës në Kosovë e Serbi, kishte thënë se është e paimagjinueshme që dy vende që nuk e njohin njëra-tjetrën të bëhen anëtare të BE-së, duke deklaruar se normalizimi përfshinë njohjen reciproke, dhe kjo gjë nuk ka ndryshuar.
“Vetëm sa për të rikujtuar: Lexojeni deklaratën e qartë të Kancelarit gjerman Scholz gjatë vizitës në Kosovë dhe Serbi në qershor ’22 për normalizimin përfshirë njohjen reciproke. Kjo ende qëndron: Rruga është aty: Zbatim i plotë i marrëveshjeve të Brukselit/ Ohrit nga të dyja palët sa më parë”, kishte thënë ai.
Deklarata e Rohde erdhi pasi ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill, ka thënë se Serbisë nuk do t’i kërkohet njohja de jure e pavarësisë së Kosovës për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian.
Në një intervistë për ‘NIN’, Hill ka thënë se evropianët po kërkojnë vetëm normalizimi i marrëdhënieve. sipas tij, përfaqësuesit e BE-së duan paqe dhe siguri në rajon dhe sigurisht mes Kosovës dhe Serbisë.
“Mendoj se ata e kanë thënë shumë qartë se ka anëtarë të BE-së që nuk e njohin Kosovën, kështu që çështja e vërtetë është të përpiqemi të arrijmë normalizimin ku ata kufij nuk do të jenë kufij që ndajnë, por kufij që bashkojnë”, kishte deklaruar Hill.
Ndërkaq, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier ka deklaruar të mërkurën se drafti i propozuar nga BE-ja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe nuk është dokument jozyrtar, ashtu siç ka deklaruar kryeministri i Kosovës Albin Kurti. Qartë ka thënë se vetëm Kushtetuesja mund ta vlerësojë draft-statutin e Asociacionit.
“Komenti im i vetëm është se është dokument jozyrtar për aq kohë përderisa qeveria apo ndonjë ministri nuk e ka miratuar apo dekretuar. Pra, qartazi, ne presim që qeveria të ndërmarrë ndonjë veprim për ta dërguar atë në Kushtetuese. Kjo është mundësia e qeverisë”, ka thënë ambasadori amerikan.
“Por të jemi të qartë, ky nuk është dokument jozyrtar, nuk është diçka që vetëm e kemi dorëzuar ashtu thjeshtë në mënyrë të rastësishme. Një delegacion i përbërë nga personi më i lartë i Bashkimit Evropian, përgjegjës për dialogun Kosovë-Serbi, me këshilltarët kombëtarë të sigurisë, këshilltarët më të afërt të kancelarit, presidentit të Francës dhe kryeministres së Italisë dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së. E dorëzuam atë dokument duke thënë” ne besojmë se ky krijon një asociacion të komunave me shumicë serbe që i trajton të gjitha shqetësimet e ngritura, që nuk kërkon ndryshime të kushtetutës, nuk ka pushtet ekzekutiv, nuk krijon shtresë tjetër të qeverisjes, pra ka status mjaft të rëndësishëm, dhe siç i kemi thënë Kosovës, ne mendojmë se është mjaft i mirë dhe i mjaftueshëm që Kosova t’i përmbush obligimet e veta, duke përdorur këtë draft”, ka thënë ai.
Ai më tej tha se SHBA-ja dhe BE-ja do ta respektonte çfarëdo vendimi të Kushtetueses, teksa shtoi se do të prisnin që edhe Kosova ta bënte të njëjtën gjë, teksa foli edhe për propozimin e kryeministrin Albin Kurti, që drafti të dërgohet në Komisionin e Venecias nga emisari special, Miroslav Lajçak.
“Nuk e di qëllimin e këtij propozimi. Sërish, nuk besoj…. Ne e respektojmë shumë Komisionin e Venecias, por shumë ekspertë të respektuar kanë qenë të përfshirë në hartimin e këtij draft-statuti. Nuk mendoj se kemi frikë nga çka do që Komisioni i Venecias mund të bëjë me të, por nuk e zgjidh problemin themelor. Çështja siç e kuptoj unë apo siç e kam dëgjuar nga qeveria është se nuk janë të bindur se draft-statuti është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.
“Komisioni i Venecias nuk mund të marrë një përfundim të tillë. Por, a e dini kush mundet? Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Pra, le ta dërgojmë draftin me ndonjë – sërish, keni të drejtë, kryeministri ka të drejtë, qeveria e Kosovës duhet disi t’i japë ndonjë status përtej statusit të tanishëm për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Por, nga këndvështrimi ynë, do të ishte mirë që qeveria ta ndërmarrë atë hap”, tha Hovenier.