Dy fitoret radhazi në kampionat, 0-2 me Skënderbeun dhe 3-0 Teutën, Laçi kërkon t’i pasojë me një tjetër rezultat pozitiv sot ndaj Dinamos.
Kurbinasit prej disa javësh kanë krijuar stabilitet në lojë dhe rezultatet nuk kanë munguar. Skuadra e trajnerit Françesko Moriero ka shënuar dhe nuk ka pësuar, që do të thotë se ka ekuilibër. Ky është momenti më i mirë për t’u ndeshur me një kundërshtar të 4-shes së parë të renditjes, siç është Dinamo. Blutë, të cilët kanë marrë një fitore dhe një barazim në dy ndeshjet e mëparshme të këtij kampionati, janë të “kërcënuar”.
RIKTHIMET – Për ndeshjen e sotme ndaj Dinamos, stafi teknik i Laçit do të ketë dy rikthime të rëndësishme, siç janë Stiven Bibo dhe Agan Mjaki. Mesfushori ishte i skualifikuar për shkak kartonësh dhe mungoi kundër Teutës, ku kurbinasit fituan 3-0. Në këtë ndeshje mungoi edhe Mjaki, por për arsye shëndetësore. Mbrojtësi i djathtë është rikuperuar, por ndoshta nuk është në 100% gati dhe i mbetet trajnerit Moriero të vendosë nëse do ta hedhë në fushë nga minuta e parë apo do ta mbajë në stol, aq më tepër kur pas disa ditësh Laçi ka një tjetër ndeshje shumë të rëndësishme, çerekfinalen e kthimit në Kupën e Shqipërisë ndaj Partizanit. Trajneri italian me siguri do të mundohet të menaxhojë energjitë e skuadrës së tij, pasi Kupa është një mundësi më e mirë për të shkuar në Europë.PANORAMASPORT.AL