Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës nga sot, më 01.11.2024 do të ketë në menaxhim pronat e Aeroportit të Dumoshit, si pika strategjike për rritjen e mbrojtjes dhe sigurisë së vendit.
Kështu ka njoftuar ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci i cili ka thënë se vendosja e ushtarëve të FSK-së në pronat e Aeroportit të Dumoshit në Podujevë është një zhvillim domethënës për sigurinë dhe stabilitetin në rajon.
“Kjo datë përkon edhe me ditëlindjen e Heroit të Kosovës, strategut dhe inspiruesit të luftës sonë çlirimtare, Komandant Zahir Pajazitit” – theksoi ministri.
Tutje ai shtoi se ky hap forcon praninë e FSK-së në regjionin e Llapit dhe Gollakut, duke ofruar siguri shtesë për banorët e kësaj ane si dhe për të ofruar mbështetje më të mirë dhe më të shpejtë për reagime emergjente dhe për operacione në rast të emergjencave civile.
Ministri u shpreh se ky vendim tregon angazhimin e institucioneve të Kosovës për të fuqizuar kapacitetet ushtarake dhe për të kontribuar në një mjedis më të sigurt.