Qeveria malajziane ka miratuar rifillimin e kërkimeve për të provuar gjetjen e avionit të kompanisë Malaysia Airlines, i cili u zhduk në mënyrë misterioze më shumë se 10 vjet më parë, në mars të vitit 2014, raporton AFP dhe Reuters.
“Propozimi për një operacion kërkimi nga (kompania amerikane e eksplorimeve) Ocean Infinity është i fortë dhe meriton të shqyrtohet,” deklaroi për median ministri malajzian i transportit, Anthony Loke.
Fluturimi **MH370** u zhduk nga radarët më 8 mars 2014, pak kohë pas ngritjes nga aeroporti i Kuala Lumpur-it, me 239 njerëz në bord. Edhe pse destinacioni i fluturimit ishte Pekini, të dhënat e regjistruara nga radarët dhe satelitët treguan se avioni devijoi nga rruga e tij. Hetuesit besojnë se avioni, një **Boeing 777**, u rrëzua diku në pjesën e largët jugore të Oqeanit Indian.
Një raund tjetër kërkimesh private nënujore, gjithashtu i ndërmarrë nga Ocean Infinity, me ndihmën e dronëve nënujorë, përfundoi në maj të vitit 2018 pa gjetur asnjë gjurmë të avionit. Kërkimet e mëparshme, të zhvilluara në një sipërfaqe prej 120,000 km² në jug të Oqeanit Indian, pranë Australisë, bazuar në analizën e mundshme të trajektores së mjetit fluturues, u pezulluan në janar 2017, pasi, gjithashtu, nuk zbuluan asnjë gjurmë të avionit.
Ocean Infinity do të marrë **70 milionë dollarë** – e njëjta shumë e ofruar edhe herën e kaluar – nëse arrin të gjejë mbetje “të konsiderueshme”, përmendi Loke në një konferencë për shtyp.
Në bordin e avionit të zhdukur ndodheshin edhe më shumë se 150 pasagjerë kinezë, familjet e të cilëve kërkojnë dëmshpërblime nga **Malaysia Airlines**, **Boeing**, **Rolls-Royce** – që prodhoi motorët e avionit – dhe nga grupi i sigurimeve **Allianz**, ndër të tjerë.