“Unë nuk mund të them sot se sa do të ulet energjia elektrike. Ne do ta bëjmë uljen e çmimit të energjisë elektrike, sepse është tepër shtrenjtë kur rrimë mbi gjithë këtë energji që kemi. Shumë kemi kapacitet”.
Kështu deklaronte më 26 gusht 2019, kandidati për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili e kishte vendosur në top 20 prioritetet uljen urgjente të çmimit të energjisë elektrike.
Kurti kishte akuzuar qeveritë e kaluara se po detyronin qytetarët e Kosovës të paguanin aq shtrenjtë derisa toka e Kosovës është e pasur me thëngjill, lëndën kryesore për prodhimin e energjisë elektrike.
Por, kur Kurti u bë kryeministër, ai nuk ndërmori asnjë hap të vetëm për të ulur çmimin e energjisë elektrike, ashtu siç iu premtonte qytetarëve të Kosovës.
Bashkë me ardhjen në pushtet të Kurtit, qytetarëve filluan t’iu vijnë fatura më të shtrenjta.
Edhe faturat e energjisë elektrike u rritën me mbi 100%.
Kurti, jo vetëm që nuk bëri asnjë hap kundër kësaj ngritjeje, por ai arsyetoi këtë vendim duke fajësuar qytetarët se nuk kanë qenë të drejtë me ankesat e tyre më herët.
“Aq lirë ka qenë energjia elektrike sa qytetarët nuk e kanë ditur se sa paguajnë”, thoshte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga foltorja e Kuvendit të Kosovës gjatë muajit janar 2022 kur po diskutohej për shtrenjtimin enorm të faturës së energjisë elektrike.
Ai vazhdonte të çudiste të gjithë me arsyetimin e çmimit të energjisë elektrike në të kaluarën, kundër të cilit kishte mbajtur me qindra fjalime e kishte diskutuar në takime të pafundme me qytetarë në qytete e fshatra të Kosovës.
“Kurrë nuk ka pasur numër më të madh të qytetarëve të Kosovës sesa në këto 4 vjet e fundit që nuk e dinë se sa paguajnë për energjinë elektrike. Aq lirë ka qenë sa nuk e kanë ditur sa paguajnë”, arsyetonte Kurti rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Me 9 shkurt 2025, Kosova do të mbajë zgjedhjet parlamentare.
Para të gjithë të tjerëve, Albin Kurti ka filluar fushatën zgjedhore, por lista e temave për të cilat ai nuk mund të mashtrojë prapë qytetarët është e gjatë.
Gjatë opozitarizmit të tij, Albin Kurti dhe Vetëvendosje kanë qenë të pakufishëm në shfrytëzimin e gati të gjitha temave, me qëllimin e vetëm për të marrë pushtetin.
Për Kurtin, ndërtimi i një profili të një politikani mbi gënjeshtra, nuk përbënte kurrfarë problemi, por për qytetarët pasojat janë prezente.