Një vatër zjarri ka përfshirë fshatin Bardhaj në Njësinë Administrative Rrajcë pasditen e sotme. Gjithashtu flakët kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme. Flakët e rëna në fshatin Bardhaj, jo shumë larg Parkut Kombëtar të Shebenikut dogjën një masiv pyjor, një parcelë me shkurre dhe dy shtëpi të vjetra.
Me gjithë ndërhyrjen mjaft të shpejtë të punonjësve të shërbimit zjarrfikës të Prrenjasit, terreni i vështirë u bë pengesë për futjen e automjeteve për të izoluar flakët. Fillimisht zjarri ishte shfaqur në vendin e quajtur “Lagja e Vaskut” 25 km larg qendrës së qytetit të Prrenjasit në skajin verior të fshatit Bardhaj ku nuk mund të futet asnjë lloj automjeti.
Më pas flakët kanë përfshirë një kodër me barë të thatë, dëllinja dhe pemë frutore si edhe një masiv pyjor. Si rezultat i terrenit me bimësi të ulët dhe barë të thatë për shkak të erës flakët janë përhapur me shpejtesi dhe kanë djegur dy shtëpi të vjetra të pabanueshme dhe janë rrezikuar disa të tjera. Ndërkohë rritja e temperaturës me kalimin e kohës shoqëruar nga rritja e shpejtësisë së erës bëri që në disa raste flakët e zjarrit të dilnin nga kontrollit duke rrezikuar edhe jetën e punonjësve të MZSH.
Mungesa e Hidranteve në të gjitha rrugët që shkojnë drejt masiveve pyjore të Rrethit të Librazhdit ku mund të furnizohen me ujë makinat zjarrfikëse po frenon ritmet e punës së shërbimeve të mbrojtjes nga zjarri. Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin Prrenjas apelon për parandalimin e zjarreve dhe evitimin e dëmeve që shkaktojnë në pyje-kullota.