Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, e ka shpërblyer edhe njëherë tjetër mikun e ngushtë të Lëvizjes Vetëvendosje, Eljesah Podvoricën. Kompania e Podvoricës, “Eing Com Sh.P.K.” është shpërblyer me tender prej 2 milionë e 430 mijë eurove.
Komuna e Podujevës kishte hapur tender për ndërtimin e shkollës së mesme profesionale në zonën industriale ku kishin ofertuar tre operatorë ekonomik. Në mesin e tyre edhe kompania e biznesmenit të afërt me figurat kryesore të Lëvizjes Vetëvendosje, Eljesah Podvorica.
Oferta e kompanisë “Eing Com Sh.P.K.”, në pronësi të Podvoricës, është përzgjedhur fituese edhe pse vlera e saj ishte për 300 mijë euro më e lartë se oferta e një tjetër operatori ekonomik, “Olti Trasnig Sh.P.K.”.
“Eing Com” ofertoi me çmim prej 2,430,303.89 euro për ndërtimin e shkollës se mesme profesionale, ndërkaq ofertuesi tjetër, “Olti Trasnig Sh.P.K.” ofertoi me çmim më të lirë në shumë prej 300,303.89 euro.
Megjithatë, në garë për këtë tender ishte edhe kompania “Bini Sh.P.K.”, e cila ofertoi me çmim prej 2,526,884.07 euro.
Më 1 nëntor të këtij viti, zyra e prokurimit në Komunën e Podujevës e ka shpërblyer me kontratë prej më shumë se 2 milionë euro kompaninë “Eing Com”.
Kjo nuk është hera e parë që Komuna e Podujevës e udhëhequr nga kryetari Shpejtim Bulliqi shpërblen kompaninë e Podvoricës.
Në korrik të këtij viti, kompania e Eljesah Podvoricës ishte shpallur fituese e tenderit mbi gjysmë milioni euro për ‘mirëmbajtje dimërore dhe verore të rrugëve’.
Edhe në rastin e tenderit për mirëmbajtjen e rrugëve, kompania “Eing Com” ishte shpallur fituese edhe pse kishte ofertuar me çmim më të lartë prej 237 mijë eurove.
E themeluar në vitin 2018, “Eing Com” është një kompani ndërtimore me bazë në Podujevë dhe me specializim në ndërtim të objekteve banesore dhe jobanesore, bazuar në regjistrin e të dhënave në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve.
Pronar i 100 për qind të aksioneve të saj figuron Eljesah Podvorica, një afarist i afërt me deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në gusht të vitit 2021, disa muaj pas fitores së Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet nacionale, Podvorica ishte fotografuar në shoqërinë e deputetit të LVV-së, Salih Zybës. Fotografia ishte realizuar në Suharekë, vendlindjen e deputetit Zyba.
“Vizita në Theranë, mikëpritja atje është më e madhe se kudo”, shkruante një mik i përbashkët i Podvoricës dhe Zybës në mbishkrimin e fotografisë.
Afaristi dhe deputeti shfaqeshin përball njëri-tjetrit në tavolinën e mbushur me miq të tjerë të përbashkët të tyre.
Zyba nuk është miqësia e vetme që biznesmeni i cili fitoi kontrata milionëshe, ka me deputetë të LVV-së.
Në vitin 2019, deputeti tjetër i Vetëvendosjes, Nijazi Isaku, kishte postuar një fotografi në rrjetet sociale ku shihej në shoqërinë e pronarit të kompanisë “Eing Com” dhe dy personave të tjerë.
“Një kafe me tre luftëtarët e lirisë, UÇK-së”, shkruante Nijazi Isaku në postimin e vitit 2019.