Një avion ushtarak rus dyshohet se ka shkelur hapësirën ajrore finlandeze në Gjirin e Finlandës të hënën në mëngjes, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Finlandës, njofton AFP.
Ky incident vjen pasi marrëdhëniet midis Finlandës dhe Rusisë janë acaruar ndjeshëm pas anëtarësimit të Finlandës në NATO vitin e kaluar, marrëdhënie të shënuara nga disa incidente kufitare.
Avioni qëndroi për rreth dy minuta në hapësirën ajrore finlandeze jashtë qytetit të Loviisa (në jug), në një thellësi prej rreth 2.5 km brenda territorit të këtij vendi verior, thuhet në një deklaratë të ministrisë finlandeze.
“Ne e trajtojmë këtë dyshim për shkelje territoriale me gjithë seriozitetin dhe një hetim është nisur”, tha ministri finlandez i Mbrojtjes, Antti Häkkänen, cituar në këtë deklaratë.
Sipas njoftimit, roja bregdetare finlandeze do të kryejë një hetim dhe do të informojë publikun pasi të përfundojë hetimi.
Incidenti më i fundit kufitar daton në fund të majit, kur Finlanda dhe Lituania i kërkuan Moskës të shpjegonte planin e saj për të ndryshuar në mënyrë të njëanshme kufirin detar të dy vendeve, pas qarkullimit të një projekt-rezolute nga Ministria ruse e Mbrojtjes.
Sipas Ministrisë Finlandeze të Mbrojtjes, shkelja e mëparshme e hapësirës ajrore finlandeze daton në gusht të vitit 2022, kur dy avionë luftarakë rusë hynë në Gjirin e Finlandës.
Finlanda mbylli kufirin e saj tokësor me Rusinë në dhjetor 2023, me Helsinkin që akuzoi Moskën për orkestrimin e ardhjes së emigrantëve të paligjshëm për të destabilizuar vendin nordik.