Duke marrë shkas nga një intervistë e presidentit të FSHF-së, Armand Duka, dhënë në emisionin “Rubrika Sportive” në “RTSH”, ku foli për të drejtën e transmetimit të Superiores dhe theksoi se do të jetë e suksesshme këtë herë kjo marrëveshje, mendoj se në të shkuarën marrëveshjet e bashkëpunimit për të drejtën televizive janë parë thjeshtë si marrëveshje tregtarësh, me qëllimin final rritjen e fitimeve. U arrit deri në atë nivel sa emisionet e ndryshme sportive nuk siguronin dot pamje nga zhvillimi i ndeshjeve të javës, me përjashtim të golave dhe ndonjë gabimi të bërë nga mbrojtësit, që mund të bëhej objekt diskutimi nga moviolistët.
Natyrisht me çmimet tepër të larta të vendosura nga zoti Frangaj, ato nuk mund të siguroheshin, e për pasojë ndaj kësaj babëzitjeje të tij, informacionet që merrnin sportdashësit nga ndeshjet e javës ishin tepër të kufizuara. Duke qenë se FSHF-ja dhe RTSH-ja janë dy institucione publike, unë mendoj se kjo është marrëveshje e duhur, e cila nuk duhet të prishet më. Mesa duket, zoti Duka kuptoi se më i rëndësishëm se fitimi, është promovimi publik i të gjitha aktiviteteve futbollistike që zhvillohen në vendin tonë, duke filluar nga ato të Kategorisë Superiore, e deri te futbolli i moshave te vogla. Ky është një bashkëpunim që do përgëzuar, por suksesi i mëtejshëm do të varet direkt nga mënyra sesi drejtori i përgjithshëm i RTSH-së, zoti Alfred Peza, do t’ia kuptojë përgjegjësinë që ai dhe specialistët e institucionit të tij kanë para sportdashësve shqiptarë. E përmenda zotin Peza, sepse është ai që do të plotësojë stafin e nevojshëm dhe teknologjinë e duhur në dispozicion të tyre. Tashmë nga RTSH, si një institucion publik që është, presim që të bëjë një pasqyrim të plotë, jo vetëm të aktiviteteve futbollistike, por edhe të të gjitha sporteve të tjera, që për hir të së vërtetës, janë gjallëruar ndjeshëm. Nëse ajo nuk e bën këtë emri i saj, nga “Rubrika Sportive”, duhet të shndërrohet në “Rubrika e Futbollit”.
FORMULA E SUPERIORES
Në disa raste, aftësitë shumë të mira organizative të zotit Duka, nuk kanë qenë të shkëputura nga “uni” i tij. Është kjo arsyeja që formula “Final 4”, duket sikur ra nga qielli pa ju nënshtruar asnjë lloj diskutimi në botën e gjerë të futbollit. Para pak kohësh, ai me një qetësi olimpike deklaroi publikisht se skema e vjetshme e “Final 4” ishte e suksesshme. Mënyra sesi i nxori nga goja ato fjalë dhe vendin ku vendosi muskujt e mimikës, la të kuptohej se kjo punë edhe në vitet e ardhshme do të bëhet kështu si them UNË dhe pikë. Në fakt, ashtu po ndodh. Me të drejtë mjeshtri i madh i gazetarisë sportive, Besnik Dizdari, shtron pyetjen: “A ka burra në këtë vend?”. Kur Duka thotë se kjo formulë te njerëzit do të krijojë emocion dhe kuriozitet, nuk është e vërtetë. Praktika e kampionatit të kaluar e tregoi mëse miri këtë. Në finalen e kampionatit të kaluar, me përjashtim të sportdashësve të dy ekipeve që u ndeshen, edhe ata me kufizim, asnjë palë tjetër nuk ishte e interesuar. Zoti Duka pati fat se ndeshja u fitua nga ekipi që kishte udhëhequr gjithë vitin, por nëse ajo do të ishte fituar nga rivali, reagimet do të ishin tepër të mëdha, sepse titulli nuk shkonte te ekipi që udhëhoqi gjithë kampionatin, por te skuadra që me një urdhër administrativ, ju krijua mundësia të fitojë trofeun me një ndeshje të vetme. Kjo nuk është aspak sportive. Me fjalën kampionat, nënkuptojmë një garë ose lojë, ku konkurrojnë disa pjesëmarrës a ekipe.
Pra, fitues shpallet ai që grumbullon më shumë pikë nga ballafaqimi me të gjithë ekipet e tjera pjesëmarrëse. Por, të fitosh një titull nga një short qesharak, ku numri 1 do të ndeshet me numrat 2, 3 e 4, dhe fituesit do të shkojnë në finale, pa marrë absolutisht në konsideratë pikët e grumbulluara në atë kampionat aq të gjatë, kjo është thellësisht anti sportive. Është thjeshtë një fiksim apo tekë e një personi të veshur me pushtet. Në mbrojtje të bindjeve të tij për “Final 4”, Duka e krahasoji me “Champions League”, ku fituesi përfundon me një finale. Kjo duket qartë se në këtë thënie Duka është ndodhur bosh. Nuk e rregulloi dot mirë shprehjen me mendimin. Të krahasosh një aktivitet ndërkombëtar me atë të një federate të vetme, është çudi. Është e vërtetë se në garën e Champions League ka eliminime në grupe, që do të thotë se ekipi i eliminuar nuk mund të vazhdojë garën më tej në këtë lloj aktiviteti, por ama ekipi vazhdon rregullisht ndeshjet e kampionatit të tij. Në kampionatet kombëtare të federatave të veçanta, veçanërisht kur ato janë me shumë pak ekipe, si ky i joni, sistemi i eliminimit nuk mund të përdoret. Çfarë do të behet me ekipet që pas 2- 4 takimesh do të eliminohen? Kaq do të jetë kampionati për ato? Krahasimi qe Duka bëri nuk ishte i goditur. Ndërkohë edhe në një kampionat me 10 ekipe si i joni, mund të gjenden forma më efektive për të bërë të mundur që ekipet e rreshtuara në krye të ndeshen midis tyre, duke dhënë kështu një spektakël të nivelit të lartë, por kurrsesi ai nuk duhet të zhvillohet si një kampionat që fillon nga zero, sepse ai ka filluar shumë muaj më parë dhe pikët e grumbulluar që nga fillimi, patjetër që duhet të njihen. Është meritë dhe pjesë e mundit dhe djersës se tyre. Është drejtësi sportive.
FORMA MË E PRANUESHME
Kampionati ynë duhet te zhvillohet me pesë faza. Në përfundim të fazës së tretë, do të kemi dy grupe me nga pese ekipe. Pesë ekipet e para që do të luftojnë për titullin kampion, do të ndeshen në dy faza mes njëra-tjetrës. Pesë të fundit do të ndeshen po me dy faza, për mos të dale nga kategoria apo shkuar në ndeshjet skualifikuese. Duhet kuptuar se faza e katërt dhe e pestë, qe do të zhvillohet mes pesë ekipeve të çdo grupi, nuk çon numrin e ndeshjeve. Nëse grupi i parë do të formohet me katër ekipe, aq sa secili pjesëtar e ka te siguruar pjesëmarrjen në Kupat e Europës, ndeshjet nuk do të jenë aq interesante se sa kur në këtë luftë do të konkurrojnë pesë ekipe.
Skuadrat do ta fillojnë këtë fazë me pikët e grumbulluara në tri fazat e para. Kjo do të risë përgjegjësinë e ekipeve dhe nuk do të ndodhë ajo pamje e shëmtuar që pamë në kampionatin e kaluar, veçanërisht te Egnatia e Rrogozhinës, që u shndërrua në shoqëri mirëbërëse, duke falur pikë lartë e poshtë. Në këtë mënyrë, jo vetëm që ruhet parimi i drejtësisë, por edhe minimizohet mundësia për kompromise si deri më sot. Kjo formë rrit interesin e sportdashësve dhe i bën ata që ta presin ashtu siç thotë edhe zoti Duka, me më emocion dhe kuriozitet. Unë i bëj thirrje, që me qetësi ta shikojë edhe këtë mënyrë organizimi, apo edhe të tjera më të mira se ky që mund të paraqesin specialistët e tjerë.