Zëvendëskryeministri i angazhuar për politika të qeverisjes së mirë, Arben Fetai, ftoi sot për krijimin e një fronti të përbashkët kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Duke folur në Punëtorinë Strategjike të Grupit Ndërpartiak Parlamentar Kundër Korrupsionit, organizuar nga NDI në Shkup, Fetai i bëri thirrje Parlamentit, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë të punojnë së bashku për të luftuar me sukses krimin.
Ai tha se Agjenda e reformave e miratuar nga Bashkimi Evropian është udhërrëfyes në aktivitetet e Qeverisë për të luftuar krimin dhe korrupsionin. Në këtë kontekst, ai përmendi hartimin e Regjistrit për evidentimin e pasurisë shtetërore dhe të Strategjisë për forcimin e kapaciteteve për kryerjen e hetimeve financiare dhe konfiskimit të pasurisë për periudhën 2024-2028, të cilat duhet të parandalojë keqpërdorimet me pronën shtetërore dhe konfiskimin efektiv të pasurisë së paligjshme.
Duke folur për përmirësimin e transparencës së institucioneve, Fetai paralajmëroi rezultate të shpejta në zbatimin e Planit të veprimit për transparencë, krijimin e ueb faqeve për institucionet publike dhe trajnimin e stafit për mirëmbajtjen e faqeve. Sipas tij, ndryshimet në Ligjin për qasje të lirë në informata me karakter publik shkojnë në drejtim të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve.
Fetai theksoi se qeveria është e gatshme në mënyrë aktive të përfshijë sektorin civil në procesin e vendimmarrjes. Si shembull ilustrativ përmendi emërimin e një anëtari me të drejtë vote nga sektori joqeveritar në Trupin Ndër-reserial për koordinimin e aktiviteteve kundër korrupsionit.