Vlora është veshur këto ditë e gjitha kuqezi. Qyteti është zbukuruar me flamuj të shumtë, jo vetëm nga bashkia, por edhe nga qytetarët të cilët iu përgjigjën pozitivisht thirrjes për të vendosur një flamur në ballkonet e shtëpive të tyre.
Vlora është ‘qendra’ e festës për Ditën e Flamurit. Aktivitetet kanë nisur që në ditën e parë të muajit dhe mbyllen në fund të tij. Gjithçka do të kulmojë në fundjavën e ardhshme. Një prej këtyre aktiviteteve ishte edhe ky panair ku u ekspozuan produkte të ndryshme lokale. Veç qytetarëve të Vlorës pjesë e organizimit u bënë edhe qytetarë të komunitetit arbëresh në Itali.
Pjesë e organizimeve është bërë edhe Muzeu i Pavarësisë në këtë qytet. Është një nga destinacionet e preferuara nga vizitorët në çdo periudhë të vitit për të mësuar më shumë për pavarësinë. Kalendari i aktiviteteve përfshin edhe dy ekspozita të veçanta, njëra për përvjetorin e pavarësisë dhe tjetra një ditë më parë për 80-vjetorin e çlirimit të vendit.
Festimet do të kulmojnë me koncertin e madh në datën 29 Nëntor. E kryetari i bashkisë Ermal Dredha fton të gjithë shqiptarët që t’i bashkohen festës në qytetin e flamurit.
Vlora nuk është zbukuruar vetëm me flamuj, por edhe me elementë të tjerë. Artisti Bledar Cakalli ka zgjedhur që në rrugët e Vlorës të realizojë këtë murale me figurat më të shquara të kombit, përfshirë edhe Ismail Qemalin që ngriti flamurin në 28 Nëntor të vitit 1912.
Ashtu si çdo vit, edhe në këtë përvjetor të pavarësisë do të shpaloset një flamur gjigant që ka udhëtuar nga Vlora edhe në qytete të tjera. Sipërfaqja e tij këtë vit është shtuar. Vlora në këto ditë zgjidhet nga vizitorë të shumtë të ardhur nga trojet shqiptare, por edhe turistë të huaj. Hotelet në qytet janë të rezervuara.
Për ata që zgjedhin Vlorën në këtë peridudhë ka edhe oferta të dedikuara. Bizneset në sektorin e hotelerisë në bashkëpunim me njëri-tjetrin, por edhe me bashkinë kanë paketa të unifikuara.
Vlora zgjidhet nga turistët në të gjithë muajt e vitit ndërsa një nga periudhat më të preferuara është ajo e festave të Nëntorit.