Ashtu siç ishte planifikuar, të shtunën Kuvendin Zgjedhor e mbajti Federata e Notit e Kosovës. FNK-ja ka shkruar se Kuvendi ishte Statutar dhe Zgjedhor. Sipas njoftimit, statuti i FNK-së është harmonizuar me gjashtë pikat e kërkuara nga World Aquatics dhe me Ligjin për Sport.
Në fakt World Aquatics ditë më parë kërkoi që Kuvendi i FNK-së të mos mbahet më 2 nëntor.
Kryetar i FNK-së është zgjedhur Fis Murati, ka njoftuar kjo federatë.
Nënkryetarë janë zgjedhur Bashkim Haxhimusa e Xhevat Camaj, ndërsa në bord janë zgjedhur Granit Morina, Fitnete Sfarqa, Artiol Shala, Hana Fejzullahu, Vlera Llalloshi, Besim Gashi.
Sipas njoftimit, janë zgjedhur edhe këshilli mbikëqyrës, komisioni profesional, komisioni i garave, selektori dhe sekretari i përgjithshëm.
Sipas njoftimit, kuvendin e ka monituaruar menaxheri i federatës së notit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Shkëlqim Sadriu. Nuk është njoftuar që në kuvend të ketë pasur përfaqësues të Komitetit Olimpik të Kosovës.
Prej disa javësh FNK-ja ishte pa kryetar, pasi Agron Zeqiri dha dorëheqje pasi u suspendua nga një organ i World Aquatics për diskriminim.
World Aquatics ka shkruar në një letër të prezantuar ditë më parë se “beson se nuk duhet të mbahen zgjedhje në FNK para përfundimit të rishikimit të statutit të federatës kosovare nga World Aquatics. Nëse Federata vazhdon me Asamblenë zgjedhore, World Aquatics dëshiron të sqarojë se nuk do të njoh rezultatet e saj”. Pra rezultatet e kuvendit nuk pritet të njihen nga federata botërore.
Kuvendi i së shtunës vetëm ka konfirmuar për të shumtën herë se komuniteti shumë i vogël i notit kosovar është i ndarë në dy grupe.
Grupi tjetër, që pretendon se përfaqëson 18 klube, ditë më parë akuzojë bordin dhe nënkryetarin e FNK-së për shkelje ligjore, shkelje statutare dhe diskriminim.