Një anketim i minutave të para pas mbylljes së kutive të votimit në Britaninë e Madhe, la të kupthet se Partia Laburiste mund të ketë shënuar një fitore të thellë në zgjedhjet parlamentare të së enjtes.
Sipas anketës udhëheqësi laburist Keir Starmer, do të jetë kryeministri i ardhshëm i vendit.
Laburistët pritet të kenë 410 deputetë në dhomën e ultë të parlamentit, ndërsa konservatorët 131.
Zgjedhësit e duket se i shkaktuan një humbje historike Partisë Konservatore të kryeministrit Rishi Sunak, duke e lënë partinë në rrëmujë pas një qëndrimi prej 14 vjetësh në pushtet.
Udhëheqësi laburist Keir Starmer, u shprehu mirënjohjen e tij të gjithë atyre që punuan dhe votuan për partinë e tij.
Në një postim në X, ai shkroi, “për të gjithë ata që kanë bërë fushatë për Laburistët në këto zgjedhje, për të gjithë ata që votuan për ne dhe besuan në partinë tonë të ndryshuar të Punës – faleminderit”.
Rezultatet e plota do të dalin më vonë. Anketa kryhet nga kompania Ipsos e cila u kërkon njerëzve në një sërë qendrash votimi të plotësojnë një kopje të fletëvotimit që tregon se si kanë vendosur ata. Zakonisht anketa siguron një projeksion të besueshëm, por jo të saktë të rezultatit përfundimtar.
Ndryshe nga Franca ku partia e ekstremit të djathtë, Bashkimi Kombëtar i zonjës Marine Le Pen shënoi fitore historike në raundin e parë të zgjedhjeve të dielën e kaluar, publiku i zhgënjyer britanik duket se është zhvendosur drejt qendrës së majtë.