Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan do të zhvillojë një vizitë sot në Tiranë. Në agjendë, pas ceremonisë së pritjes në presidencë në orën 11:30, është parashikuar një takim me presidentin Bajram Begaj dhe me kryeministrin Edi Rama, me të cilin do të mbajë një deklaratë të përbashkët.
Për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e vizitës së Erdogan, policia e kryeqytetit ka marrë disa masa dhe do të bllokojë disa rrugë në orarin e mbërritjes dhe takimeve të tij.
Policia njoftoi drejtuesit e automjeteve që nesër të shfrytëzojnë autostradën e re Kashar – Rinas, për të qarkulluar në drejtim të aeroportit të Rinasit, pasi aksi i vjetër Kashar – Rinas do të jetë i bllokuar nga ora 10:00 deri në 11:30, si dhe nga ora 17:00, deri në orën 18:00.
Po ashtu do të bllokohen dhe rrugë të tjera, konkretisht: Nga Rinasi – Qafa e Kasharit – Mbikalimi tek Casa Italia – nënkalimi te ish-sheshi “Shqiponja”, Unaza te Astir – Rrethrrotullimi i Saukut, Rruga e Elbasanit. Po ashtu do te bllokohen Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga Ura te ish Hotel Dajtit deri te sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, rruga “Papa Gjon Pali II”, rruga “Ibrahim Rugova”, rruga “Ukraina e Lirë”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe rruga “Xhorxh Bush”.