Të vështira e ndonjëherë edhe të mërzitshme i ka përshkruar takimet në rajonin e Ballkanit, emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin. Gjatë një diskutimi në kryeqytetin e Gjermanisë në prag të 10-vjetorit të Procesit të Berlinit, Sarrazin e ka cilësuar sukses faktin që nisma nuk do të mbetet me minus një shtet, duke iu referuar Kosovës.
Shmangia e përjashtimit të Kosovës nga Procesi i Berlinit është konsideruar sukses në një diskutim që u zhvillua të mërkurën në Berlin, në prag të 10-vjetorit të nismës gjermane me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Emisari Special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, që pati disa vizita në Prishtinë, në përpjekje për ta bindur Qeverinë ta heqë ndalesën ndaj importit të mallrave nga Serbia, ka folur për vështirësitë në këtë angazhim.
“Kur nisi Procesi i Berlinit është parë me skepticizëm por u dëshmua që nëse punojmë bashkë dhe reagojmë si ekip, mund të arrijmë shumë gjëra. Kjo është pjesa më e rëndësishme e kësaj. Ka pasur situata me partnerë nga rajoni dhe qëndrime krejtësisht të ndryshme, gjë që është problematike, ndonjëherë e mërzitshme”, ka theksuar Sarrazin.
Tek foli për dakordimin e arritur në kuadër të CEFTA-s me të gjitha vendet, Sarrazin iu kthye porosisë që pati lënë në Prishtinë se Procesi i Berlinit mund të vazhdojë pa Kosovën nëse nuk heq bllokadën për mallrat nga Serbia.
“Procesi i Berlinit do të jetë një sukses i madh, sepse u mundësua që bashkë, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të lëvizin përpara me vendime konkrete, të rrisin bashkëpunimin dhe të përfshihen në tregun e përbashkët. Sot patëm dakordimin e vendimeve në kuadër të CEFTA-s nga shtatë shtete, pra plus Moldavia, por jo me minus një. Tashmë të gjithë janë në bord. Pra i kemi marrëveshjet me vendet e CEFTA-s, plus Moldavia, jo me minus një. Ky është sukses i madh për Samitin që lidhet me vullnetin politik të liderëve të rajonit, ku pas gjithë atyre telasheve e që ishin shumë të dukshme, do të ecim bashkë përpara”, ka deklaruar Sarrazin.
Kosova hoqi masën e sigurisë ndaj mallrave serbe të martën.
E sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Shqipërisë për Punë të Jashtme dhe Evropë, Armand Skapi, tha se me gjithë problemet e tensionet politike, Procesi i Berlinit mbetet platforma për tejkalimin e tyre.
“Para 10 vjetëve nuk mund të imagjinohej që të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit të ulen në një tryezë. Sidomos më kujtohen takimet që kishim me përfaqësuesit nga Serbia e Kosova që të ulen në një vend, në kuadër të përpjekjeve që bënim në Tiranë. Tash janë të gjithë bashkë, të barabartë në një tryezë. Por ka ende probleme politike e tensione, prandaj Procesi i Berlinit mbetet i rëndësishëm për ruajtjen e bashkëpunimit dhe promovimin e pajtimit, në mënyrë që të përshpejtohet rruga drejt integrimit në BE”, ka theksuar Skapi.
Më 14 tetor do të shënohet 10-vjetori i Procesit të Berlinit, të cilin e pati iniciuar Angela Merkel, kancelarja gjermane e asaj kohe.
Marrëveshjet në kuadër të CEFTA-s miratohen nga Komiteti i Përbashkët në Berlin në formën e Vendimeve, Protokolleve Shtesë ose Rekomandimeve. Aktualisht, dhjetë marrëveshje të tilla janë në pritje të miratimit në fusha të ndryshme si: tregtia, njohja e operatorëve ekonomikë si dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve tregtare.