Më 24 gusht të 1991, Ukraina shpalli Pavarësinë e saj nga Bashkimi Sovjetik. Kjo datë është kujtuar nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook nga Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali.
Kryetarja e Kuvendit ka shprehur mbështetjen për Ukrainën, e cila sot po përballet me agresionin ushtarak rus.
“Si sot, 33 vjet më parë, më 24 gusht 1991, Ukraina fitoi Pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik.
Ukraina mike kremton sot Ditën e Pavarësisë dhe Lirisë. Në këtë ditë të shënuar, populli i Ukrainës është përfshirë, kundër dëshirës së tij, në luftën çlirimtare për mbrojtjen e sovranitetit dhe tërësisë territoriale prej agresionit neoimperialist të Rusisë së Putinit.
Shqipëria ka mbajtur e mban një qëndrim të palëkundur në mbështetje të Ukrainës, bashkë me SHBA-të, BE-në, NATO-n, dhe botën demokratike, në të gjitha forumet dhe organizatat ndërkombëtare, duke filluar nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara deri në Samitin “Ukrainë – Europa Juglindore”, i cili u mbajt më 28 shkurt në Tiranë.
Mbështetja jonë e vendosur për Ukrainën do të vijojë, jo vetëm për çlirimin e saj, për mbrojtjen e sovranitetit dhe tërësisë territoriale, por edhe për sigurinë, kthimin e rendit ndërkombëtar, për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, shkruan Spiropali.