Komisioni Qendror Zgjedhor i kërkoi Kuvendit të mos i miratojë 2 projektligjet pasi mund të ndikojnë në elektorat para zgjedhjeve të 11 majit. Sot përballja ligjore në KAS.
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve zhvillon seancë publike në lidhje me ankesën e depozituar nga Kuvendi që kundërshton dy 2 nismat ligjore që KQZ i bllokoi me argumentin se mund të ndikojnë drejtpërdrejtë në zgjedhjet e 11 majit. Bëhet fjalë për “Paketën e Maleve” dhe draftin për TVSH-në në bujqësi.
Sipas kreut të KQZ-së, Ilirjan Celibashi “Fusha e veprimit të dy projektligjeve, atij “Për paketën e maleve” dhe projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 92, datë 24.07.2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë” prekin politika të rëndësishme fiskale.
Ndryshimet e propozuara kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në sektorin ekonomik dhe atë tregtar, çdo veprim në këtë drejtim mund të dëmtojë parimin e barazisë mes aktorëve ekonomikë në prag të zgjedhjeve. Ato mund të krijojë perceptimin e përdorimit të mjeteve ligjore për qëllime elektorale, argumentoi kreu i KQZ-së.
Por Kuvendi argumenton se nismat nuk krijojnë përfitim të drejtpërdrejtë për qytetarët. Për Paketën e Maleve’ e cila synon zhvillimin e zonave malore, në ankimimin e bërë në KAS, Kuvendi jep 4 arsye pse kjo nismë nuk bie në kundërshtim me Kodin zgjedhor, pasi nuk parashikon shpërndarje të fondeve publike, synon të rregullojë problemet e pronësisë në zonat malore, përfitimet janë afatgjata dhe nuk favorizon një grup të caktuar.
Kuvendi thotë se projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 92, datë 24.07.2014, ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë” nuk bie ndesh/cenon me nenin 91 pika 4 të Kodit Zgjedhor.
Argumentet e Kuvendit për pr/ligjin për TVSH në Bujqësi
-Nuk krijon përfitime të drejtpërdrejta për një kategori specifike të popullsisë: Projektligji nuk është një akt që synon favorizimin e ndonjë grupi të caktuar elektorati. Ai trajton një çështje fiskale dhe ekonomike që prek një sektor të tërë të ekonomisë dhe synon krijimin e një ambienti më të drejtë konkurrues.
-Nuk përmban ulje taksash apo përfitime financiare me ndikim electoral: Ky projektligj nuk ndryshon nivelin e taksave për një grup të caktuar zgjedhësish, por sjell një rregullim të përgjithshëm të TVSH-së për sektorin bujqësor. Kjo masë nuk krijon një avantazh të drejtpërdrejtë për një kategori të popullsisë dhe për këtë arsye nuk bie nën kufizimet e nenit 91. pika 4.
Edhe sa takon paketës së maleve kuvendi evidenton se projektligji paketa e maleve është lancuar prej shumë kohësh tashmë dhe është pjesë e tryezave dhe diskutimeve në mbi 35 shoqëri cilive
Argumentet e Kuvendit për Paketën e maleve
-Nuk parashikon shpërndarje të drejtpërdrejtë fondesh apo ndihmash financiare ndaj individëve apo bizneseve, por rregullon procesin administrativ të kalimit të pronësisë dhe zhvillimit të zonave malore. Kjo e dallon atë nga politikat që synojnë përfitime të menjëhershme që mund të përdoren për qëllime elektorale.
-Synon zhvillimin e zonave malore në zhvillim dhe nuk krijon një përfitim të drejtpërdrejtë për një kategori specifike votuesish.
-Përfitimet nga projektligji janë të përgjithshme dhe afatgjata, duke synuar investitorët dhe komunitetet vendore në tërësi dhe jo një grup të caktuar të popullsisë që mund të ndikojë drejtpërdrejt rezultatin e zgjedhjeve.
-Nuk ka një favorizim të një grupi të caktuar të votuesve, pasi ligji vendos kritere të përgjithshme dhe të hapura për të gjithë investitorët dhe poseduesit jopronarë.
Pse rekomandimi i Komisionerit është i gabuar?
Komisioneri në arsyetimin e vendimit pretendon se ndryshimet e propozuara në dy ligjet e sipërcituara dhe analizuara, kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në sektorin ekonomik dhe atë tregtar dhe se çdo veprim në këtë drejtim mund të dëmtojë parimin e barazisë mes aktorëve ekonomikë.
Ky argument është spekulativ dhe nuk bazohet në një analizë konkrete të ndikimit të dy projektligjeve. Nuk ka asnjë provë që këto masa do të krijojnë pabarazi ekonomike në prag të zgjedhjeve, për më tepër kur bëhet fjalë për politika të përgjithshme të zhvillimit ekonomik.
Argumenti se këto projektligje mund të krijojnë perceptimin e përdorimit të mjeteve ligjore për qëllime elektorale është gjithashtu i pasaktë. Perceptimi subjektiv nuk mund të shërbejë si bazë për kufizimin e të drejtave kushtetuese legjislative të Kuvendit.
Ndalimi i miratimit të një projektligji nuk mund të mbështetet vetëm në mundësinë e një perceptimi të gabuar, por duhet të bazohet në fakte konkrete që tregojnë ndikimin e tij real në procesin zgjedhor.
Sa i përket argumentit se ligjvënësi ka vendosur ndalimin e miratimit të akteve të caktuara katër muaj para zgjedhjeve, ky ndalim ka një qëllim të qartë: të shmangë shpërndarjen e fondeve publike me efekte të menjëhershme elektorale. Në rastin konkret, projektligjet nuk përmbajnë elemente të tilla, prandaj ky ndalim nuk mund të zbatohet mekanikisht pa një vlerësim objektiv të secilit rast.
Përfundimisht, Kuvendi i Shqipërisë, duke vlerësuar se projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 92, datë 24.07.2014, ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë” dhe projektligji “Për Paketën e Maleve”, nuk krijojnë favorizime për një grup specifik të popullsisë dhe nuk përfshin ulje taksash apo përfitime që mund të kenë ndikim electoral pra nuk cenojnë asnjë ndalim të përcaktuar në nenin 91 pika 4 të Kodit Zgjedhor, si dhe duke vlerësuar se pika 2 e vendimit nr. 83. datë 11.02.2025, të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, përbën një ndërhyrje të pajustifikuar në kompetencat e Kuvendit dhe dëmton parimin e ndarjes së pushteteve, vlerëson.
Prandaj Kuvendi kërkon
1. Shfuqizimin e pikës 2 të vendimit nr. 83, datë 11.02.2025, të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve;
2. Konstatimin se asnjëri prej projektligjeve të sipërpërmendur nuk bie ndesh me nenin 91, pika 4, të Kodit Zgjedhor,
3. Lejimin e vijimit të procedurave parlamentare për shqyrtimin dhe miratimin e projektligjeve në fjalë pa kufizime të pajustifikuara.
Pse i pezulloi KQZ
Sipas kreut të KQZ-së, Ilirjan Celibashi “Fusha e veprimit të dy projektligjeve, atij “Për paketën e maleve” dhe projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 92, datë 24.07.2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë” prekin politika të rëndësishme fiskale.
Argumentet e KQZ-së
-Ndryshimet e propozuara kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në sektorin ekonomik dhe atë tregtar, çdo veprim në këtë drejtim mund të dëmtojë parimin e barazisë mes aktorëve ekonomikë në prag të zgjedhjeve. Ato mund të krijojë perceptimin e përdorimit të mjeteve ligjore për qëllime elektorale.
-Kufizimet, apo ndalimet e parashikuara në nenin 91, pika 4, të Kodit Zgjedhor mund të jenë penguese edhe kur vërehet që akti që kërkohet të shqyrtohet, apo miratohet nuk duket se do të përdoret për qëllime politike, apo elektorale. por është vetë ligjëvënsi ai që në këtë pikë e ka vlerësuar që për një kategori aktesh për periudhën 4 (katër) muaj përpara datës së zgjedhjeve ndalimi për miratimin e tyrë është i domosdoshëm. Përjashtimin e ka bërë vetëm për rastet e gjendjes së fatkeqësisë natyrore”