50 kartolina të vjetra janë ekspozuar në Korçë nga filatelisti i njohur Mirgen Shamblli. Këto kartolina janë dërguar nga emigrantët shqiptarë që asokohe jetonin në Britaninë e Madhe dhe SHBA dhe i përkasin viteve 1882-1940.
Koleksionisti dhe filatelisti i njohur, Mirgen Shamblli, ka sjellë një ekspozitë të veçantë në “Qoshkën e Koleksionistëve”.
Ekspozita përfshin 50 kartolina urimi për Krishtlindje dhe Vitin e Ri, të cilat i përkasin fundit të viteve 1880 deri në vitin 1940.
Kartolinat janë dërguar asokohe nga vende të ndryshme ku shqiptarët kishin emigruar në ato periudha, duke përfshirë Britaninë e Madhe, Amerikën, etj. Pjesa më e madhe e tyre janë të shkruara në gjuhën angleze.
“E vitit 1892 është kartolina më e vjetër që kam unë. Ka ardhur nga Britania në Korçë. Njerëzit i hedhin kartolinat, ndërsa unë i koleksionoj për pasion,” tha Shamblli.
Kompozimi dhe grafikat i bëjnë të veçanta këto kartolina, ndërsa mbledhja e tyre ka qenë e vështirë, pasi të pakta janë familjet korçare që kanë mundur t’i ruajnë urimet nga gjyshërit dhe stërgjyshërit e tyre.
“Urimet janë të njëjta si sot: Gëzuar Krishtlindjen dhe Gëzuar Vitin e Ri!”, tha ai, duke shtuar se më të veçantat janë kartolinat me litografi dhe stampime.
Ekspozita do të jetë e hapur deri në ditët e para të janarit, ndërsa ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve që po kalojnë pushimet dimërore në Korçë.