Eksportet bujqësore gjatë vitit 2024 shënuan rritje, duke përmirësuar në mënyrë cilësore produktet me të cilat konkurrojmë në tregjet ndërkombëtare.
Krahasuar me një vit më parë eksportet bujqësore u rritën në sasi me 21 % gjatë vitit 2024.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bëri të ditur se gjatë vitit 2024 u eksportuan 471 817 ton produkte bujqësore, kundrejt 390 525 ton produkteve që u eksportuan në vitin 2023.
Denaj tha se, “rritja e eksporteve të produkteve “Made in Albania” tregon një pasqyrë të qartë të rritjes së cilësisë dhe fuqizimit të fermerëve në vend”.
“Ecuria e qëndrueshme e sektorit na afron drejt realizimit të objektivit tonë për 1 miliardë dollarë eksporte bujqësore deri në 2030”, u shpreh Denaj.
Politikat mbështetëse kanë rritur investimet në përmirësimin e cilësisë dhe standardeve të produkteve shqiptare që po rrisin prezencën e tyre në mënyrë të qëndrueshme në tregjet ndërkombëtare.
Produktet kryesore bujqësore që eksporton Shqipëria janë bimë mjekësore, perime të freskëta dhe të përpunuara, vaji i ullirit, vajrat esenciale, shalqinj, fruta, peshk të konservuar etj.