Zv.kyeministri dhe Ministri i Qeverisjes së mirë të RMV-së, Arben Fetai thotë se mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës ishte një moment i rëndësishëm për forcimin e frymës së bashkëpunimit dhe partneritetit në rajon.
“E zhvilluar në një atmosferë pozitive dhe konstruktive, mbledhja rezultoi tejet produktive, me nënshkrimin e tre marrëveshjeve: për përmirësimin e lidhjeve të transportit dhe energjisë, bashkëpunimin në arsim dhe kulturë, si dhe për reduktimin e kohës së kalimit të kufijve përmes një protokolli të ri”, sqaron Fetai përmes një shkrimi në rrjetet sociale.
Fetai thekson se gjithashtu ëshët diskutuar për një sërë çështjesh me interes të përbashkët, “duke përfshirë bashkëpunimin ekonomik, projektet e infrastrukturës, stabilitetin rajonal dhe proceset e integrimeve euroatlantike, të gjitha me qëllim rritjen e standardit të jetesës dhe krijimin e më shumë mundësive për qytetarët tanë”.
Ndryshe, sot në Prishtinë u mbajtë mbledhja e parë ndërqeveritare mes RMV-së dhe Kosovës pas formimit të qeverisë së re në Maqedoninë e Veriut, pjesë e së cilës është edhe koalicioni shqiptarë “VLEN”.