U mbyllën këtë të premte edhe dy sfidat hapëse të javës së 10 të kategorisë superiore. Supersfida e kësaj jave e zhvilluar në Rrogozhinë, mes kampionëve të Egnatias dhe Dinamos u mbyll në barazim 1-1. Të dyja golat u realizuan me 11 metërsh në pjesën e parë, teksa ishte fillimisht Lushkja për vendasit që zhbllokoi shifrat, por 6 minuta nga fundi u kundërpërgjigj Dejvi Bregu.
Në pjesën e dytë rrogozhinasit luajtën me një lojtar më pak, pas daljes me kartonin e dytë të verdhë të Aleksit, në minutën e 53-të. Të dyja skuadrat me këtë barazim shkojnë në krye të renditjes në kuotën e 16 pikëve aq sa ka edhe Partizani me nj ndeshje më pak.
Ndërkohë në sfidën tjetër, Nevil Dede merr fitoren e parë në krye të Bylis, me bllashiotët që fituan me rezultatin e thellë 4-0 ndaj Teutës. Golat për vendasit u realizuan nga Abazaj, Berko, Ruci dhe Gjata. Fitore shprese kjo për Bylis, që lë përkohësisht vendin e fundit në renditje, duke u ngjitur në kuotën e 8 pikëve.