Edon Cana, kandidat i Partisë Demokratike të Kosovë për zgjedhjet e 9 shkurtit, ka adresuar kritika në drejtim të Qeverisë Kurti, duke thënë se nuk ka rezultate.
Cana në një intervistë për emisionin “Spotlight”, prodhim i Gazetës Online Reporteri.net thotë se Qeveria Kurti është marrë me popullizëm.
Ai ka thënë se Qeveria aktuale nuk është e orientuar në qëllime dhe arritje, nuk i ka prezantuar Kosovës që e ka një qëllim, shembull si Shqipëria që e ka vendosur në 2030 të jetë anëtare e Bashkimit Evropian.
“Pra këta nuk kanë qëllim, janë marrë me popullizëm gjithë kohën dhe kanë munguar rezultatet, janë fokusuar në disa lëvizje populliste të cilat kanë rezultuar në fiasko diplomatik, duke marrë parasysh që sot Kosova është e sanksionuar nga BE, nuk kemi pasur asnjë bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi kryeministri dhe vet Qeveria nuk kanë pasur asnjë vizitë në Shtëpinë e Bardhë në kohën kur kemi pasur një president më pro Kosovë që ka ekzistuar ndonjëherë, e paramendoni çfarë do të ndodhë me një president që Kurti kishte lobuar kundër publikisht”, ka deklaruar ai.
Ai ka kritikuar Qeverinë edhe për mungesë të investimeve kapitale.
“Kemi menaxhim skandaloz të buxhetit, duke marrë parasysh pasi për katër vite nuk ka asnjë investim kapital publik të filluar që evidentohet”, ka thënë Cana. /Reporteri.net/.