Kryeministri Edi Rama ka ndarë lajmin e hapjes së shkollës së re “Muhedin Sherifi” në Librazhd, një investim i përbashkët mes Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Bashkisë së Librazhdit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama njoftoi se shkolla ka filluar funksionimin me klasa moderne, bibliotekë, palestër dhe infrastrukturë bashkëkohore, duke krijuar kushte të shkëlqyera për nxënësit dhe mësuesit.
“Një tjetër investim i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Bashkisë së Librazhdit, që sapo ka hapur dyert me klasa moderne, bibliotekë, palestër duke ofruar kushte bashkohore, për nxënësit dhe mësuesit në këtë vit të ri shkollor”, shkruan Rama.
Ky investim vjen si pjesë e përpjekjeve për përmirësimin e infrastrukturës arsimore në vend, ndërsa Rama uroi një javë të mbarë për të gjithë nxënësit dhe stafin e shkollës së re.
Ministria e Arsimit dhe Sportit me fillimin e vitit të ri shkollor ka bërë investime të rëndësishme në infrastrukturën arsimore, ku si asnjëherë më parë në këtë vit të ri shkollor çelën dyert 25 shkolla të reja.
Shkollat e reja kanë të gjitha kushtet për mësimdhënie me klasa moderne , laboratorë, biblioteka, terrene sportive dhe palestra, deri te hapësirat e gjelbra, që u ofrojnë nxënësve mundësi për të mësuar, për të zhvilluar aftësitë digjitale dhe për të eksploruar pasionet e tyre për sportin dhe natyrën.