Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka vazhduar edhe për nga dy muaj të tjerë masën e paraburgimit Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, të cilët dyshohen për vrasjen e Liridona Ademajt.
Këtë e konfirmoi për Reporteri.net, zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi, e cila tha se tre të dyshuarve u është vazhduar masa e paraburgimit deri më 24 dhjetor 2024, raporton gazeta online Reporteri.net.
“Ju njoftojmë se me datë 24.10.2024 Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit, në çështjen penale ndaj të pandehurve N.M, G.P dhe K.K. Të pandehurve N.M, G.P dhe K.K iu është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej (2) muaj për secilin, e cila masë do ju zgjasë deri me datë 24.12.2024”, thuhet në përgjigjen e Gashit për gazetën online Reporteri.net.
Murseli dyshohet se porositi vrasjen e Liridona Ademajt, duke i premtuar 30 mijë euro Plavës për ta kryer krimin e rëndë.
Ndërsa, i arrestuari tjetër për këtë rast, Kushtrim Kokalla, dyshohet për marrëveshje për të kryer veprën penale vrasja e rëndë.