Nga BESNIK DIZDARI
(Fragmente të bashkuara në një ide nga libri “Sabah Bizi … dhe Brezi i tij” (2019))
ZAN RRAGAMI DHE SABAH BIZI …
Më 10 tetor 1973 Shqipëria me trajner Ilia Shuken, fiton në Tiranë 1-0 me Finlandën për Kampionatin Europian dhe papritmas, kapiten i saj është Ramazan Rragami, madje edhe autor i të vetmit gol me 11-metërsh.
…Qysh me Loro Boriçin në vitet ’40, Vllaznia nuk kishte pasur asnjë lojtar të sajin si kapiten të Kombëtares. Dukej se e mbyllte me këtë rast të vetëm me Ramazan Rragamin. Mirëpo, befas, më 10 tetor 1976, mbërrin në Tiranë për një miqësore Algjeria. Loro Boriçi e mbledh shpejt e shpejt Kombëtaren dhe po papritmas i jep shiritin e kapitenit një shkodrani të dytë, Sabah Bizit, i cili asokohe nuk kishte konkurrent për këtë detyrë. Kjo sepse edhe Panajot Pano, edhe Ramazan Rragami i kishin thënë lamtumirë futbollit të luajtur. I pari më 25 maj 1975, ndërsa Rragami më 21 shtator 1975.
…Befasia e dytë është se 48 orë para ndeshjes Shqipëri-Algjeri, kjo e fundit më 8 tetor 1976 luan në Shkodër me Vllazninë. Fiton Vllaznia 3-0, duke qenë ky i vetmi rast në historinë e futbollit shqiptar që një skuadër klubi fiton ndaj Kombëtares së një shteti! Ky është një tjetër rekord i Sabah Bizit, i cili shpalos një interpretim të përsosur të tij.
Ky ishte Sabah Bizi edhe i kësaj ndeshjeje historike për kah rasti i saj unik (një klub 3-0 përballë një Kombëtareje të një shteti) – autor i golit të parë dhe ndërtues i pagabueshëm i dy golave të tjerë të Pukës dhe Hoxhës. Dhe pa menduar askush se në moshën 28-vjeçare ai do ta mbyllte me Kombëtaren. Për fat, me kujtimin e fundit të pashlyeshëm si kapiten i saj dhe i klubit të tij. E, kësi ngjarjesh përbëjnë rekorde botërore të historisë së statistikave të futbollit: fitues dy herë po 3-0 brenda vetëm 48 orëve: Shqipëria-Algjeria 3-0 dhe Vllaznia-Algjeria 3-0!
Po për të qenë më të drejtë, këtu duhet të përcaktojmë disi ndryshe: se Sabah Bizi është ndarë me Kombëtaren në moshën 25-vjeçare, saktësisht më 6 maj 1973 me Shqipëri-Rumani 1-4 për Kampionatin Botëror, ndeshja e 13-të e tij me Shqipërinë. Një lamtumirë në moshën 25-vjeçare, kur ai kishte përpara e pakta edhe gati dhjetë vjet futboll, duke mbërritur përsëri në Kampion i Shqipërisë dhe nja dy herë të tjera fitues i Kupës së Shqipërisë. Po ashtu, edhe me një shkëlqim të ri në Kupën e Kampioneve të Europës, si një 30-vjeçar i padiskutueshëm.
Ende nuk kishim mbërritur këtu. Jemi në mesin e viteve ’70, kur asnjë skuadër perëndimore nuk e shkel Shqipërinë!
…Më 21 shtator 1975 është “prishja” e parë e treshes R.Rragami-Zhega-Bizi. Si futbollist Ramazan Rragami ndahet nga fusha e lojës. Sapo ka hyrë në vitin e 32-të të jetës së tij. Ka qenë një befasi e tanë, sepse mjeshtri i madh, në rolin e qendërmbrojtësit, na dukej se kishte edhe plot vite për të luajtur. Mirëpo, vetë Rragami, me sa u pa, nuk ishte i këtij mendimi.
Tash treshja R.Rragami-Zhega-Bizi do të vazhdonte me dyshen Zhega-Bizi.
“RAMAZAN RAGAMI – NJERIU QË I RISOLLI SHKODRËS LAVDINË E HUMBUR TË FUTBOLLIT”
Kështu e kam cilësuar një herë. Dhe konfirmimi i kësaj lavdie është data e 4 qershorit 1972, kur duke fituar 4-1 me Studentin në Tiranë, Vllaznia e Shkodrës e drejtuar nga kapiteni Ramazan Rragami shpallej Kampione e Shqipërisë, me një largim spektakolar të titullit nga kryeqyteti pas plot një të katërt shekulli.
Për të ardhur deri këtu, Rramazan Rragami ka një kapërcim të pambrritshëm midis viteve ’60 dhe ’70. Me një fillim krejt të rrallë.
Është 29 janar 1961. Dita kur Rramazan Rragami del për herë të parë në fushë nën fanellën e të rriturve të Vllaznisë. Ka vetëm pak ditë që ka mbushur 17 vjeç. Ndeshja është një miqësore me skuadrën kampione të Dinamos në stadiumin “Vojo Kushi”. Në 11-shin shkodran shumica nuk i kanë mbërritur 20 vjetët: Dani, Çapaliku, Rragami, Rakiqi… Ndodh që kur më 26 shkurt 1961, nis Kampionati Kombëtar, kjo rini shkodrane ka për fat një fillim humbës: 1-2 në Vlorë me Flamurtarin para 8000 shikuesve, po për ne është e rëndësishme se në 11-shin shkodran është titullar i palëvizshëm Rramazan Rragami së bashku me 18-vjeçarin Esat Rakiqi.
Trajneri shkodran, pedagogu i pakrahasueshëm, Rifat Rusi, paraqet në 11-sh një grup të tërë 17-20 vjeçarësh: Z.Dani, Çapaliku, Rragami, Rakiqi, Zaganjori, Preza… Nuk ishte parë ndonjëherë ky guxim tek Vllaznia e sunduar prej vitesh nga emrat e brezit të vjetër, autoriteti i të cilëve në Shkodër konsiderohej thuajse i paprekshëm.
Më 25 nëntor 1965, është barazimi famëmadh Shqipëria-Irlanda e Veriut 1-1, me gol spektakolar të Zhegës, por me zotëruesin e padiskutueshëm të mesit të fushës që quhej Ramazan Rragami. Dhe kjo ndaj Irlandës së Veriut të George Best të Mançester Junajtid, më i madhi futbollist i Evropës, pa shkuar te titullarë të tjerë të Arsenalit, Totenham apo Mançester Siti. Dhe papritmas, më 11 shtator 1966, Rragami e sheh veten në 11-sh së bashku me shokun e tij të të parë, Selami Danin e Vllaznisë, të saporrëmbyer për Partizanin, teksa së bashku shkojnë e barazojnë 2-2 kundër Vllaznisë së tyre në Shkodër (gol i Danit) për javën e parë të Kampionatit 1966-1967.
Mandej, kur Partizani merr pjesë në Kupën Ballkanike dhe fiton 2-0 me UTA të Aradit më 3 dhjetor 1966, pas katër ditëve, më 7 dhjetor, Vllaznia fiton thellë 5-0 një miqësore të bujshme me UTA-n – vatër e futbollit rumun – dhe miqtë që habiten kur shohin Ramazan Rragamin të luajë edhe me skuadrën shkodrane! Këtu është çasti kur për herë të parë në histori, 22-vjeçari Ramazan Rragami luan së bashku me 18 –vjeçarin Sabah Bizi, ndeshja madhështore e këtij të fundit dhe e Nikoll Gjergjit, autor i dy golave dramatikë, pas kombinimeve befasuese Bizi-Rragami dhe me një gol të bukur të këtij të fundit.
Më 22 mars Shqipëria mund Bullgarinë 2-0 për Olimpiket dhe dyshja rinore Rragami-Bizi është e pandalshme tashmë, teksa sundojnë gjithë hapësirën e fushës. Ky është çasti kur trajneri Loro Boriçi nuk ka mëdyshje. Dhe kurrë më nuk e prek atë. Ishte një obsesion i tij ndoshta. Kur merrte fletoren e tij në netët pa gjumë dhe vendoste emrat, ndër punët e para që bënte ishte të shkruante “Rragami dhe Bizi”. Pa asnjë diskutim, sepse ata ishin truri i lojës. E bisedojsha këtë punë me të vite më mbas dhe Boriçi nuk i lëvizte pikën. Gjithçka mbërriti deri aty, sa asesi dyshja nuk duhej prishur. Partizani shkon në Kupën Ballkanike dhe në ndeshjen Partizani-Fenerbahçe 2-0, Bizi thirret nga Shkodra, aty pranë Rragamit.
Tashmë sapo është formuar treshja e madhe shkodrane e Kombëtares: Rragami-Bizi-Zhega, të tre së bashku të një moshe mesatare vetëm 20.5 vjeç! Kulmi i së cilës është barazimi i një buje botërore Shqipëria-Gjermania 0- 0 më 17 dhjetor 1967. Shto këtu edhe Lin Shllakun dhe bëhet një katërshe magjike shkodrane Shllaku-Rragami-Bizi-Zhega, që e çon Panajot Panon në mrekullitë e tij, duke pështjelluar një mbrojtje të Nënkampiones së Botës. Gjashtë ditë më vonë, 23 dhjetor 1967, Vllaznia shkatërron 4-0 Beroe të Stara Zagorës së Bullgarisë, gjithashtu vatër e futbollit bullgar, në përurimin e saj për Kupën e Ballkanit në ndeshjen që grumbulloi katërshen e yjeve të Vllaznisë, Rragami-Bizi-S.Dani-Zhega, dhe bash kjo është dita ndezëse e asaj që e kam quajtur “kryengritja” e dytë e Vllaznisë. Shto këtu dhe Ali Memën dhe me këta pesë protagonistë të 17 dhjetorit 1967, në të vërtetë kishim të bënim me serinë e dytë të barazimit famëmadh kundër Gjermanisë. Ramazan Rragami, 23 vjeç djalë, si një burrë i moçëm i futbollit, ndjehet protagonist midis protagonistëve.
Për mua këtu merr fund dhe realizimi i asaj që e kam quajtur rikthimi i lavdisë së humbur të futbollit të Shkodrës. Ndonëse duheshin jo pak, por edhe pesë vjet të tjera që të mbërrihej te më e pambërritëshmja: Vllaznia – Kampione e Shqipërisë mbas 25 vjetëve: 4 qershor 1972. Gjithë ky pesëvjeçar ka kthimin e Ramazan Ragamit e të Selami Danit, të Medin Zhegës si dhe ikjen dhe rikthimin e Sabah Bizit.
E kishte filluar i pari “kryengritjen”. Ia kishin shtypur duke e larguar nga skena e Shkodrës dhe kur ishte kthyer, e kishin ndarë nga Sabahu. Vllaznia e tij është e 4-ta e Shqipërisë më 1968, e 3-ta më 1970 e 1971, dhe Kampione e fituese e Kupës më 1972. Si intermexo janë ndërkaq, tri finale rresht të Kupës së Shqipërisë, të trija me Partizanin, të fituara po prej këtij me lojë e gola shkodranësh të rrëmbyer. Një herë të vetëm Ramazan Rragamit, një herë tjetër të Selami Danit, një herë tjetër të Sabah Bizit.
Për ta sjellë Shkodrën deri këtu në historinë e Rragamit tonë, kanë nxituar të zhvillohen me përfundime të shpejta këto ngjarje ndër më të mëdhatë e futbollit shqiptar:
1965: Shqipëria-Irlanda e Veriut 1-1, eliminim sensacional i skuadrës më të fortë irlandeze në histori.
1968: Partizani-Torino 1-0 për Kupën e Europës dhe Rragami titullar i thirrur nga Shkodra.
1970: Partizani – Kampion i Ballkanit dhe Rragami i thirrur po nga Shkodra.
1970: Partizani eliminon Advidaberg të Suedisë 1-1 e 2-0 për Kupën e Europës dhe protagonisti është Ramazan Rragami i thirrur nga Vllaznia.
1971: Shqipëria–RFGjermane 0-1, humbja më dinjitoze në historinë e futbollit shqiptar, dhe Rragami-Bizi-Zhega, treshja sunduese e ndeshjes në një barazpeshë të paparë ndaj Bekenbauerit e shokë.
Janë brilante të historisë sonë, natyrisht modeste.
Ky është çasti kur më në fund bëhet dhe bashkimi i madh. Në vitin 1969 përfundimisht Rragami ka në krah Selami Danin, Medin Zhegën, Esat Rakiqin dhe tashmë, mbas “internimit” në Skrapar, është kthyer portieri i madh, Paulin Ndoja. Vllaznia tashmë është skuadër e rrallë për Shqipërinë: Ndoja, Çapaliku, Dedja, Rragami, Lekaj, Koçobashi, Rakiqi, Rauf Çanga, Zhega, Dani. Po dhe Zyhdi Basha e Plumbini. Teksa ishte bërë gati të mbërrinte ndërkaq, edhe brezi i tretë i talenteve shkodranë: Ismet Hoxha e Çesk Ndoja, Halil Puka, Suat Duraj e Millan Vaso.
Ramazan Rragami është më i shndritshmi, aty, i palëvizshëm, kapiteni tashmë mitik, i cili qëndron si një fortesë, që nuk lëkundet, edhe pse shpesh mureve të saj mbërrijnë goditje nga të gjitha anët.
…Ndërsa shkonte drejt titullit Kampion, Vllaznia ka dramën e fitores së Kupës me Besën e Kavajës. Mbërrihet te 120 minuta lojë e te 11-metërshat e rastit botëror të kapitenit Rragami. Plot shtatë! Ka vite që endem nëpër labirinte arkivash dhe askund nuk kam gjetur rastin që një futbollist të ketë shënuar shtatë 11-metërsha brenda ngjarjeve të një ndeshje të vetme. Nga Pele deri te Johan Krujfi, nga Garinça deri te Gerd Myleri, nga Di Stefano deri te Van Basteni, nga Mesi deri te Kristiano Ronaldo.
Ramazan Rragami – njeriu i cili nuk ka lënë pa fituar thuajse asgjë që mund të fitohet në futbollin shqiptar: kampion, fitues i Kupës, ushtar i rrëmbyer, shtatdrejti, universali i lojës, eleganti, gjysmëmbrojtësi, mesfushori, sulmuesi, shuteri i pagabueshëm edhe tridhjetë metra larg, 18 herë i Kombëtares, pak kaq, thjesht për shkak të ndalimit së saj në kulmin e futbollit të Rragamit (1967-70), që arriti deri kapiten i saj, interpretuesi befasues në Shqipëri deri i atij që i thonë “mbrojtësi i lirë”.
…Ne që e kemi parë nga llozhat e këtij teatri gjigand, siç është fusha magjike e futbollit, e dijmë fort mirë se pa të ndoshta nuk mund të mbërrihej te kthimi i një historie që ishte shuar. Ramazan Rragami ka qenë ndarja e dy epokave të futbollit, asaj që mbyllej me vitin 1960, me plot suksese, tashmë të shuara, dhe asaj që po vinte me një epokë më moderne.
E ka mbyllur karrierën e futbollit, siç thashë më lart, në qershor 1975, mbas plot 15 vjetëve në fushat e blerta. Ka qenë vetëm 31 vjeç dhe ndoshta ky është gabimi më i madh dhe i vetëm i jetës së tij sportive, sepse mund të luante edhe për shumë vite të tjerë.
Vetëm kaq mund të them, duke mbyllur këtë histori që në fakt është vetëm pjesa e parë e vyer e historisë së tij. Sepse e dini që ka edhe një Ramazan Rragam tjetër, ajo e trajnerit të shquar. Historia e trajnerit Ramazan Rragami – në 8-she të Europës në duel me Gjermaninë e 21-vjeçarëve të Berti Vogts-it – arritja më e madhe e deritashme e Shqipërisë në një garë të Europës.
Tash e mbrapa ai do ta shihte Sabah Bizin, herë nga tribuna e spektatorit, por po aq edhe nga stoli i trajnerit. Gjithnjë do t’i dukej se ishte edhe vetë ai po aty, në fushën e lojës së bashku…
MEDIN ZHEGA DHE SABAH BIZI
…Dihet, ata janë tre: Ramazan Rragami – Medin Zhega – Sabah Bizi. Nuk them se “ata ishin” sepse ata janë. Janë përgjithmonë të praruar në histori. Mirëpo, dihet, futbolli i fushës së blertë ka kufijtë e tij të pamshirshëm. Ata ia arritën të ishin të tre së bashku, ndonëse në fillim erdhi vetëm Rragami. Mandej erdhi Zhega dhe u bënë dyshe. Mbas pak erdhi Bizi dhe u bënë treshe. Një ndër treshet më të bujshme të historisë së futbollit modest shqiptar. Por ata nuk qenë modestë. Në futbollin e tyre ata qenë të cilësisë ndërkombëtare, përtej kufijve të cilësisë së futbollit modest shqiptar.
I pari që u largua nga fusha e blertë ishte Rragami. Vetvetiu treshja u bë dyshe: ZhegaBizi. Kjo ka ndodhur më 1975. Dyshja ishte e mrekullueshme po aq sa dhe treshja. Për çudi te Vllaznia si dyshja ashtu dhe treshja kanë qenë njëlloj jetëgjatë. Të dyja kanë zgjatur 4 vjet. Treshja Rragami-Zhega-Bizi nga 1971 deri më 1975 kur u largua Rragami. Dyshja, kjo Zhega-Bizi, nga 1975 deri më 1979 kur nga fusha e blertë u largua Zhega. Këto ndarje janë fiktive në gjithçka. Ngaqë në famë, në epokë futbolli, në mënyrën e lojës, në teknikë, elegancë, në shpirt, në etikë, në mjeshtri, ato nuk janë ndarje. Kësisoji, dyshja mbeti po aq e famshme sa dhe treshja.
Ndërkaq, sa herë që shkruaja për dyshen Zhega-Bizi, kujtoja treshen Rragami-ZhegaBizi. Në një farë mënyre unë vazhdoja të shkruaja po për treshen. Më dukej se ajo nuk qe ndarë…
Kisha me thanë, se midis sportistëve më të shquar të Shqipërisë, rrallë te dikush tjetër si te Din Zhega ngjet që njeriu dhe sportisti, karakteri njerëzor dhe portreti i futbollistit, veprimtari shoqëror dhe trajneri, intelektuali dhe tekniku i shquar i futbollit, të bashkohen ose të shkrihen kësisoji në një.
…Se çka përfaqëson Din Zhega dhe jeta e tij, duhet të shtyhesh te plot 55 vjet më parë, te viti 1963-1964, kur një djalë simpatik, shtatlartë, por i një fiziku ende disi të brishtë, shfaqej me Vllazninë e të rriturve dhe qysh ditën e parë tërhiqte një publik të tërë. Ashtu si Sabah Bizin, Din Zhegën Shkodra e ka njohur qysh fëmijë dhe qysh ditën e parë ka qenë e bindur se kishte të bënte me një talent të madh.
Askush nuk mund të parashikonte megjithatë, se këtë talent, djaloshi do ta mveshte me një cilësi aq të çmueshme njerëzore: me punën titanike të tij për t’u bërë ai që u bë: kampioni i madh dhe i hijshëm i Shqipërisë, protagonisti i Kombëtares, trajneri i saj i shquar. Madje deri në protagonizmin e mbrëmjes së paharrueshme të Leverkusenit 2001, kur ndërsa shiu ia lagte pafundësisht fytyrën, ai qëndronte si një stoik përballë Gjermanisë së “tij” – se atë kulturë u përpoq të përftonte gjithnjë – në një sfidë të pashembullt, tash si trajner në një 1-2 dramatik, madje madhështor për krejt historinë ndërkombëtare të futbollit shqiptar.
Kjo ishte hera e dytë që ai sfidonte një Gjermani mbasi me shokët e tij, e pra edhe me Sabah Bizin e Ramazan Rragamin, e kishte sfiduar duke qenë një herë tjetër (1967) drejtpërdrejt në fushën e lojës si pjesë e një 11-shi shqiptar që me 0-0-n historik do të trondiste gjithë mjedisin europian të futbollit. Gjithçka kishte qenë si një akt i dytë i dramës veriorirlandezë të para dy vjetëve (1965), kur Din Zhega prap shfaqej përtej protagonistit me golin e tij kundër mitikut Goerge Best e bashkëlojtarëve të tij të Mançester Junajtid…
Mandej, kur erdhi Sabahu, e ata u bënë treshja më e bukur e Kombëtares së Shqipërisë, iu duk se fitoi më shumë hapësirë, duke shkrirë artin e tij me atë të Bizit, i cili nga mesfusha e tij kishte për detyrë të falte majtas e djathtas topa të çmueshëm për sulmuesit.
Din Zhega, ashtu si Rragami e Bizi, ka luajtur edhe ai me tri skuadra të ndryshme: Rragami e Bizi me Vllazninë, Partizanin e Kombëtaren. Zhega me Vllazninë, Dinamon e Kombëtaren. Në ndryshim nga Rragami, Zhega e Bizi janë kampionë me të dyja skuadrat e tyre: Sabahu me Partizanin e Vllazninë, Dini me Dinamon e Vllazninë. Kësisoji, të duket se, në këte tregues, dyshja Zhega-Bizi, ia kalon treshes Rragami-Zhega-Bizi.
Nëse debutimi në fushën e blertë i përket 55 vjetëve më parë, Irlanda e Veriut ’65 i përket 54 vjetëve më parë, e Gjermania ’67 është e 52 vjetëve më parë – në fund të fundit të gjitha të shekullit të kaluar – edhe pse nuk janë jubilare, në brendësinë e tyre ato kanë një plotmëri të pakrahasueshme. Plotmërinë e mjeshtërisë së madhe, madje ndërkombëtare për vendin e një futbolli “të vogël” në raport me botën, ngado që ta marrësh.
Qe rrëmbyer shpejt prej Dinamos dhe kthimi i tij më 1969 në Shkodër nuk ka qenë një ngjarje, ka qenë shumë më tepër se kaq. Sabah Bizi qe rrëmbyer prej Partizanit dhe treshja tash mbetej vetëm të takohej në Kombëtare. Brezi i ri i sotëm që ndjek me kaq gjakim qoftë dhe një kampionat të një shteti tjetër, nuk mund të arrijë të kuptojë se çdo të thoshte që në vitin 1969, të kthehej në Shkodër futbollisti Din Zhega. Mbas 24 muajve kur do të rikthehej edhe Sabah Bizi, do të riformohej treshja, që ka mbetur unikale në historinë e futbollit shqiptar: R.Rragami–Zhega–Bizi! Çka në shkrirjen trajner-lojtar nuk do të ndalte e pakta deri te shtatori i vitit 1978, kur Vllaznisë së Din Zhegës, tashmë 32-vjeçar, do t’i takonte t’i thoshte Europës se futbolli i një vendi të vogël si Shqipëria, kërkonte të thyente izolimin e pamshirshëm prej gjashtë vjetësh, që pa mëshirë ia kishte detyruar një regjim. Ishte 2- 0 Vllaznia e Shkodrës-Austria e Vjenës (thuajse Kombëtarja danubiane asokohe në tetëshe të Botës) me shkëlqimin e dyshes Zhega-Bizi… Për ne epokë!
Ngjarjet e tij të rralla sot mbeten çuditërisht shembullore.
19-vjeçar, do të thirret në Kombëtaren e Shqipërisë ku do të shpërthente që në ndeshjet e para. Debuton në ndeshjen dramatike Zvicra-Shqipëria 1-0 më 2 maj 1965 në Gjenevë dhe kulmon në Shqipëria-Irlanda e Veriut 1-1 të Loro Boriçit të 24 nëntorit 1965 në Tiranë me golin e tij historik, që çoi Zvicrën në fundoret (finalet) e Kupës së Botës në Angli dhe eliminoi një nga 11-shet më të forta verior irlandeze me në krye George Best. Ky qe goli i shënuar me krye në një zhytje të papërshkrueshme, në të vërtetë një kryevepër teknikoatletike çka vetëm arti i Din Zhegës mund ta krijonte.
… Ky Zhegë dhe shokët e tij me barazimin zâmadh 0-0 me Gjermaninë, do ta çonin Jugosllavinë e Mitic-it në fundoret e Kampionatit Europian 1968 ku ajo do të mbërrinte deri në ndeshjet e Nënkampiones së Europës. Këto kanë qenë ndërhyrjet spektakolare të Shqipërisë së vogël të Din Zhegës, Ramazan Rragamit e Sabah Bizit me shokë, në futbollin e madh të Europës.
Mandej vjen kujtimi im dhe i tij 1969. Din Zhega, menjëherë mbas kthimit të tij në Shkodër te Vllaznia, përzgjidhet midis “Pesë Sportistëve më të Mirë të Vitit” të anketës së “Sportit Popullor”, që përbënte nderimin më të madh sportiv të vitit, një ëndërr për çdo sportist shqiptar. “Pesë më të Mirët e Vitit” ishin Marjeta Pronjari (Zaçe), Agim Fagu, Asim Belinova, Dashamir Rama dhe Medin Zhega. Besnik Dizdari (pseudonimi Bunian Drini) asokohe një gazetar i ri i të përditshmes “Bashkimi” është autor i shkrimit të posaçëm kushtuar “Pesë më të mirëve”, botuar më 13 janar 1970.
Zhega 1970 është diçka tjetër. Është viti i parë i madh i Ajax-it të Amsterdamit. Por në shtatorin e Tiranës 1970, ngjet 17 Nëntori-Ajax 2-2! Vepër e trajnerit të paharrueshëm Myslym Alla. Gol i Din Zhegës dhe Josif Kazanxhiut. Është përtej historisë…
Të tjerat po ashtu zejnë fort vend në këtë libër me protagonist Sabah Bizin: Vllaznia Kampione 1972 me Rragami-Zhega-Bizi. Vllaznia Kampione 1974 me Rragami-ZhegaBizi. Vllaznia Kampione 1978 dhe Vllaznia 2- 0 Austrisë së Vjenës të dyshes Zhega-Bizi që çizolon futbollin shqiptar. Mandej Vllaznia fitues e kupës 1979. Kupa lart në duart e kapitenit Din Zhega. Ky është çasti kur dyshja Zhega-Bizi do të bëhet njëshe: vetëm Sabah Bizi! Mandej ka dhe diçka tjetër. Është viti 1981. Vllaznia fituese e Kupës së Shqipërisë me trajner Esat Rrakiqin, duke pasur në krah trajnerin e ri, Din Zhega.
Din Zhega është larguar nga fusha më 9 shtator 1979, duke e lënë “të vetëm” mohikanin e fundit të treshes: Sabah Bizin. Një lamtumirë që ishte lënë edhe për nderin e 17 Nëntorit të Tiranës – bashkudhëtare e pandashme e Vllaznisë në krejt historinë e futbollit kombëtar – fanellën e së cilës një herë e kishte veshur me madhështi, edhe Zhega: 17 Nëntori-Ajax 2-2!
E PRISTE ROLI I RI I TRAJNERIT…
Nga Vllaznia e tij te Kombëtarja e 21- vjeçarëve, dituritë do ta çonin shpejt deri te Kombëtarja e famshme po për ne, Kombëtarja e Shyqyri Rrelit dhe e Din Zhegës së viteve ’80. Polonia, Belgjika, Bonjeku, Shifo… Ndërsa ai do të ishte trajneri, i cili do t’i jepte Kombëtares një Kupë ndërkombëtare mbas plot 54 vjetëve (“Rothmans” 2000) – sado modeste qoftë, por mbas Ballkaniadës ’46, e vetme sot e kësaj dite! Dhe do të ishte ndërkaq, ndër shqiptarët e parë të Shqipërisë i cili do bëhej trajner i shqiptarëve të Prishtinës në Kosovë dhe atyre të Tetovës në Maqedoni…
Përveçse një universitar dhe një intelektual i sporteve, apo dhe si diplomanti i shkollës së famshme të Lindabrunit austriak, si aktor i pashlyeshëm i fushës së blertë, Din Zhega qe një artist futbolli. Qe ndër të rrallët te i cili nëse fitorja e rëndësishme sportive nuk mvishej me art, atë nuk e gëzonte fort. Padroni i tij qe përherë publiku, të cilit me interpretimin e tij krejt origjinal, ai i nënshtrohej prap në mënyrën më njerëzore të mundshme.
…Eleganca e lojës së tij e mbështetur në një forcë dhe atletizëm çka ai ia mëkoi vetes me konceptin modern të motos “stërvitja mbi gjithçka” – e këtë ia kërkonte më mbas përherë atyre që i stërviti si pakkush – ai ka qenë padyshim ndër të rrallët në Shqipëri. Koreografia e futbollit të tij, prap kishte aq fort prej artit. Në një farë mënyre, ai përfaqësonte një dukuri, një rrymë, një ecuri që në vite kërkoi ta ndriçonte futbollin shqiptar të kohës moderne edhe përballë të mëdhenjve.
Din Zhegën e ndjek kështu, vazhdimësia e rolit të trajnerit. Belgjika ‘84 në mbështetje të Shyqyri Rrelit, Kupa Rothmans, Greqisë 2-0 për Kupën e Botës, dramat me Gjermaninë e Saarbrycken-it e Leverkusenit.
Dhe vetëm kaq? Është shumë, shumë…
Shqipëria-RF Gjermane 0-0 e treshes Rragami-Zhega-Bizi. Tiranë, 17.12.1967. Nga e majta: L.Shllaku, K.Dinella, J.Kazanxhi, S.Bizi, M.Zhega, F.Jorgaqi, R.Rragami, A.Mema, T.Vaso, F.Gjinali, P.Pano.
Shqipëria-RF Gjermane 0-0 e treshes Rragami-Zhega-Bizi. Tiranë, 17.12.1967. Nga e majta: L.Shllaku, K.Dinella, J.Kazanxhi, S.Bizi, M.Zhega, F.Jorgaqi, R.Rragami, A.Mema, T.Vaso, F.Gjinali, P.Pano.
BIZI, FITIMTARI I PËRJETSHËM…
Është ai që e filloi si fitimtar e do ta mbyllte si fitimtar.
…Më 10 janar 1995, me cilësinë e kryeredaktorit të gazetës “Sporti” jam bërë nxitës për të përcaktuar nëpërmjet votimit të trajnerëve e specialistëve të futbollit, “11-shin më të mirë” për të gjithë kampionatet e Shqipërisë të deri asokohe, plot 55. Ka fituar ky 11-sh:
Qemal VOGLI, Fatmir FRASHËRI, Skënder HALILI, Rexhep SPAHIU, Ramazan RRAGAMI, Sulejman DEMOLLARI, Sabah BIZI, Mexhid HAXHIU, Loro BORIÇI, Refik RESMJA, Panajot PANO.
Merret me mend se ky 11-sh pas zhvillimeve të tjera të gati prej tri dekadash të mëpasme të futbollit shqiptar, mund të lëvizë, të ndryshojë, të rigjykohet. Aq më tepër që kësisoj votimesh apo anketimesh mbeten përherë disi subjektive. Megjithatë, për një gjë jam i sigurtë. Se Sabah Bizi do të fitojë përsëri.
Ngado që ta marrësh Sabah Bizin, mbetet një fitimtar universal.
Sabah Bizi është larguar nga futbolli i fushës së blertë më 14 shkurt 1982, para ndeshjes Vllaznia-Dinamo 1-0. Ndeshja e tij e fundit zyrtare ka qenë e nja pesëdhjetë ditëve më parë, ajo Vllaznia-Besa 0-0 e 22 dhjetorit 1981. Ai ka hyrë në fushë çuditërisht duke zëvendësuar një “nxënës” të tij në futboll, të talentuarin Seit Çanga. Kështu kishin gjykuar dy shokët e tij, trajnerët asokohe të kësaj Vllaznie 1981-1982, Esat Rrakiqi e Medin Zhega, e të cilët dukej se së bashku me te po shkonin unanimisht te “përgatitja” e lamtumirës së tij nga fusha e blertë. Më parë ai kishte shkëlqyer te fitorja 4-0 ndaj Labinotit të Elbasanit me dy golat e fundit të karrierës së tij. Edhe në këtë mbyllje ai ishte një fitimtar.
Të nesërmen e atij 14 shkurti 1982, i kam kushtuar gjerësisht gjithë rubrikës së “Bashkimit” lamtumirës së tij, madje edhe me një intervistim të tij. Dhe ky do të ishte nga shkrimet e fundit i kësaj gjinie në faqet e “Bashkimit”. Ngaqë në një lloj përkimi vërtet të jashtëzakonshëm, në këto ditë dimri 1982 do të na bashkonte një “largim”, në të vërtetë një “largim” i kaheve të ndryshme.
Sabah Bizi largohet nga futbolli i luajtur, unë po ato ditë largohesha nga gazeta “Bashkimi” për të shkuar në detyrën e kryeredaktorit të “Sportit Popullor” (“Sporti Shqiptar”) për bukur nja 17 vjet. Për gati 14 vjet e kisha pas personazh të pandashëm të shkrimeve të mia në këtë të përditshme “Bashkimi”. Tash te gazeta sportive. Do ta botoja numrin “tim” të parë të “Sportit” më 23 mars 1982. E mbas një pauze, herë mbas here, në një mënyrë ose një tjetër, në një histori apo përvojë, do ta kisha prap personazh Sabah Bizin.
Në kronologjinë e historisë së tij fitimtare, 17-18 vjetët e tij si futbollist, ai i nis si fitimtar dhe i mbyll po si fitimtar. Më 1965 kur ishte vetëm 17 vjeç djalë ai kurorëzohet si fitues i Kupës së Shqipërisë. Më 1981 kur po bëhej gati të largohej nga fusha e blertë, tash në rolin e qendërmbrojtësit të lirë, si kapiten i Vllaznisë, ai ngre lart kupën tjetër të Shqipërisë për Shkodrën e tij. Tjetrën e kishte fituar vetëm dy vjet më parë, më 1979.
…Në dy dekada, në thuajse 18 vjet, pa asnjë ndërprerjeje, nga 17 vjeç deri në 34 vjeç, Sabah Bizi ishte një protagonist i pambrritshëm prej askujt në futbollin e tij të një historie fitimtare. Nuk zmadhoj asgjë. Në ditën e ceremonisë së tij, në shkrimin e sipërpërmendur të “Bashkimit”, historinë e tij fitimtare, e përmblidhja kështu:
“… Nëqoftëse do të flasim për Vllazninë e viteve ’70, vetvetiu do të ndalim te tre emra: Rragami, Zhega, Bizi. Kanë lindur në interval dy-vjeçar larg njeri-tjetrit. Rragami më 1944, Zhega më 1946, Bizi më 1948. Dhe kanë hyrë në skenën e madhe të futbollit gjithashtu në interval 2-vjeçar larg njeri tjetrit. Rragami më 1961, Zhega më 1963, Bizi më 1965. Dhe secili qe kapiten i Vllaznisë e pjesëtar i denjë i Kombëtares së Shqipërisë, teksa u bënë mjeshtra të merituar të futbollit tonë. Midis kësaj tresheje, njeri, Sabah Bizi, ishte më i privilegjuar se dy shokët e tij, sepse më 1965 ky 17-vjeçar do të ishte pjesëtar kryesor i Vllaznisë – fituese e Kupës së Republikës. Një fillim me fitore për të. Dhe dy vjet më vonë, më 1967, 19- vjeçari Sabah Bizi do të vishte fanellën e përfaqësueses, e pak muaj më mbas, më 17 dhjetor 1967, ai do të ishte qendra e mesit të fushës i ekipit tonë kombëtar në atë 0-0 të paharrueshëm me skuadrën e RFGJ – Nënkampione e Botës. E prapë, Bizi më i privilegjuar: 20 vjeç ai fiton titullin e Mjeshtrit të sportit, duke qenë kështu mjeshtri më i ri në historinë e futbollit tonë…”.
Qysh më 1966, 18 vjeç djalë, ai fiton në anketën më të famshme të sportit shqiptar, atë të gazetës së vetme sportive, “Sportit Popullor” të “Pesë sportistëve më të mirë”! Edhe ky rasti i vetëm i një futbollisti kaq të ri në një përzgjedhje që asokohe në Shqipëri konsiderohej arritje e jashtëzakonshme.
Ky është Sabah Bizi.
Fitimtari ynë në 18 vjet rresht luajti e u stërvit në baltë, diell, shi, akull e pluhur dhe i mbushi stadiumet e Shqipërisë jo me 1000 spektatorë sa sot, por me 10.000, 15.000 e 20.000. Kësisoji ai është nderi i Shkodrës dhe i Shqipërisë sportive, nderi i qytetarëve të qytetit e Atdheut të tij që si shumë bashkëshokë të tij, iu fali rininë e tij, duke marrë natyrisht gëzime e kënaqësi popullore të pafund. Nuk di a mungoi ndonjëherë në të 18 vjetët e futbollit të tij. Madje as kur një natë para ndeshjes mund të ishte i sëmurë. E gjente kurajon sa te vetvetja, po aq edhe tek mjeku i famshëm i Vllaznisë së Shkodrës, Dr. Zyhdi Çoba.
Sabah Bizi është një majë e lartë, ndër më të lartat. Është një shkollë futbolli, ndonëse tash disi imagjinare, në kuptimin se duhet ta marrësh me mënd se çka ka qenë. Ai është një histori e rrallë për këtë vend që për fat, nuk ka dhe aq shumë histori të pashlyeshme kësisoji.
Siç e kam thënë gjatë këtij libri, duhet të kthehemi në kohë për të kuptuar se në tri dekadat e Sabah Bizit, që i përkasin viteve ’60, ’70, ’80, në Shqipëri thuajse ka patur vetëm një spektakël të rregullt mesatarisht në 40 javë në Bizi, fitimtari i përjetshëm… vit. Ky ka qenë spektakli i futbollit. Nuk ishte pra si sot. Me një ndeshje futbolli t’i jetoje një javë shpirtërisht pa ndërprerje, sepse nuk kishte diçka tjetër më të veçantë që të të emociononte. Me futbollin e Sabah Bizit t’i përshkoheshe në gati gjithë vitin, duke harruar për disa çaste varfërinë, shtypjen, jetën e vështirë, mungesën e lirisë.
Qysh nga 1965 dhe deri më 1982 kur largohet, në 16 kampionate të tij, pa asnjë ndalesë, Sabah Bizi (përveç të tjerave, ai është diplomant i Kimi – Biologjisë në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës) është 4 herë Kampion i Shqipërisë dhe 5 herë fitues i Kupës, ndryshe protagonist i madh në plot 8 finale të Kupës së Shqipërisë. Në tanësi skuadra e Shkodrës me të është 3 herë kampione, 4 herë fituese e Kupës Kombëtare, 1 herë nënkampione, 5 herë e 3-ta. Të gjitha këto nga 1966 e deri më 1982, ku është përshkimi galopant i Sabah Bizit në 18 vjet pa ndërprerje, në 16 kampionate kombëtare. Dhe është njëri prej 13 mjeshtrave të merituar të të gjithë llojeve të sportit që Shqipëria kishte deri më 1982. Nuk mbeti pa ushtruar edhe trajnerin e rangut të parë, duke ia arritur madje, që në Kampionatin e Shqipërisë 1995-1996, të ishte trajneri i Vllaznisë së madhe, por në ditët ndër më të vështira të saj. E prap se prap Sabah Bizi mbetet po ai, fitimtari.
Emrat deri në Kombëtaren e Shqipërisë që u sollën rreth tij, për të, prej tij dhe me të, janë të ndritshëm, por shkëlqimi i madh duhet pranuar se është një: treshja Rragami-Zhega-Bizi.
Ka luajtur vetëm 13 ndeshje me Kombëtaren, sepse Shqipëria komuniste e ndaloi të luante atë pikërisht në kulmet e Sabah Bizit (1973-1980). E ai luajti në të gjitha variantet e fanellës kuqezi: me Kombëtaren e parë, me Olimpiken e Shqipërisë, me Shpresën e 23-vjeçarëve të Shqipërisë, me Kombëtaren kundër Përzgjedhjeve të huaja, që shkojnë në 28 ndeshje. Mandej është titulli Kampion i Ballkanit me Partizanin – i vetmi në historinë e klubeve shqiptare. Kësisoji nuk harrohen edhe plot 45 ndeshje ndërkombëtare me klubet, 10 prej të cilave në Kupat e Europës, ku janë e pakta nja pesë brilante të historisë së futbollit shqiptar. Kushedi se si do t’i përmbyste të gjithë këto shifra Sabah Bizi po të mos ndalohej jeta ndërkombëtare e përfaqësueseve e klubeve shqiptare për e pakta 6 vjet, 1972-1978, kur kanë qenë vitet kulmore të futbollit të pashlyeshëm të Sabah Bizit dhe brezit të tij.
Sabah Bizi e shokët e tij i kanë shërbyer kombit deri në sakrificë. Me mundin e madh të futbollit të tyre, të interpretuar në kushte jo aq fort favorizuese, ata ia falën zemrën e shpirtin e tyre këtij populli.