Osama al Najem, kreu i forcës së policisë gjyqësore libiane i njohur gjithashtu si Njeem Osama Elmasry (Osama al-Masri), u prit dje në Aeroportin Ndërkombëtar Mitiga, në Tripoli, si një hero.
Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale libiane, të verifikuara edhe nga mediat italiane, tregonin gjeneralin libian duke zbritur nga një avion i cili, duke gjykuar nga pamjet, duket se i përket flotës shtetërore italiane.
Në pistë e mirëpriti komandanti salafist Abdul Rauf Kara, udhëheqësi i Forcës së fuqishme Speciale të Parandalimit (Rada), një grup i armatosur libian aktiv në luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.
Disa video të publikuara në mediat sociale libiane dokumentojnë kthimin triumfalit, i kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) me bazë në Hagë për krime të dyshuara lufte dhe shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, duke përfshirë torturat fizike dhe psikologjike dhe vdekjet e dyshimta.
Osama al-Masri u arrestua më 19 Janar në Torino, ndërsa kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni nënshkroi dëbimin e tij nga Italia si emigrant i jashtëligjshëm dhe riatdhesimin më 21 Janar. Al-Masri është në kërkim ndërkombëtar, pasi akuzohet për tortura, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në burgun libian të Mitigës, të cilin e drejton prej 2015-ës.
Drejtësia italiane vuri zyrtarisht nën hetim kryeministren Giorgia Meloni. Kjo e fundit reagoi duke deklaruar se vënia nën hetim nga “drejtësia italiane nuk ishte gjë tjetër veçse një shantazh nga kundërshtarët politikë, të cilët janë nismëtarë të kësaj çështje”. Sipas Melonit, para se të mbërrinte në Itali, Al-Masri ka udhëtuar në të paktën 3 vende europiane, të cilat njohin juridiksionin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, por asnjë nuk e ndaloi.
Krahas Melonit, nën hetim është vënë edhe ministri i Drejtësisë, ai i Brendshëm dhe shefi i kabinetit të Kryeministres për çështjet e zbulimit.