Derisa Albin Kurti, u nis për në Shtetet e Bashkuara, për të marrë pjesë në Konventën Kombëtare Demokratike në Çikago, dy ‘goditje’ i erdhen sot Qeverisë së tij, që bëhet fjalë për dy aktakuzat e ngritura ndaj zëvendëskryeministres Donika Gërvalla dhe ish-kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi.
Gjykata Themelore në Prishtinës ka konfirmuar sot aktakuzën për mosraportim të pasurisë ndaj zëvendëskryeministres Gërvalla.
Sipas vendimit të gjykatës të datës 19 qershor të këtij viti, përmes të cilit gjykata ka refuzuar si të pabazuara kërkesat për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës të parashtruara nga mbrojtësja e Gërvallës, avokatja Saranda Keqekolla-Sadiku.
“Gjykata çmoi se vepra penale për të cilën akuzohet e pandehura përbën vepër penale. Gjykata detyrohet që saktësisht dhe tërësisht t’i vërtetoj faktet të cilat janë të rëndësishme për marrjen e vendimit të ligjshëm konsiderojmë se në këtë çështje penale duhet të mbahet shqyrtimi gjyqësorë në mënyrë që gjykata të ketë një pasqyrë më të qartë lidhur me këtë çështje penale”, thuhet në vendim.
Ndërkaq Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 29 maj të vitit të kaluar, kishte konfirmuar se është ngritur aktakuzë ndaj Gërvallës për veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.
Sipas aktakuzës, Gërvalla ngarkohet se në cilësinë e zyrtares së lartë publike me obligim ligjor të deklarimit të pasurisë, në formularin për deklarim të pasurisë më 22 mars 2021, nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara me ligj.
Aktakuza thotë se e njëjta në këtë formular nuk ka deklaruar asnjë të hyrë-të ardhur të bashkëshortit të saj Stefan Schwarz edhe përkundër se të njëjtin e ka deklaruar si bashkëshort.
Po ashtu në aktakuzë potencohet se kryediplomatja nuk ka deklaruar në tërësi parcelën kadastrale-toka bujqësore në pronësi të saj në sipërfaqe prej 3964 m2 në ZK Dubovik-Komuna e Deçanit, duke e deklaruar vetëm sipërfaqe prej 2000 m2.
Sipas organit të akuzës, Gërvalla nuk ka deklaruar as biznesin “Alb Lingua UG” e regjistruar në Bon të Gjermanisë në emër të saj.
Por, Gërvalla përmes një postimi në platformën sociale “Facebook”, aktakuzën ndaj saj e kishte cilësuar si përpjekje për të hedhur “baltë” mbi përfaqësuesit e institucioneve.
Po ashtu, Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Lajmi është bërë i ditur nëpërmjet një komunikate për media, ku njoftohet se i dyshuari kishte keqpërdorur detyrën zyrtare nga viti 2021 deri në vitin 2023.
“Sipas aktakuzës i pandehuri N.K. duke filluar nga data 15 tetor 2021 e në vazhdimësi deri me datë 19 prill 2023, në cilësinë e personit zyrtar, duke e shfrytëzuar detyrën zyrtare, kishte kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar e përcaktuar”, thuhet në njoftim.
Më 19 prill të vitit të kaluar, Krasniqi ishte arrestuar nën dyshimin se keqpërdori në një tender prej 3.4 milionë euro me kompaninë “Litëin SA” dhe partnerin vendor “Bujar B. Shala B.I.”, për tenderin rreth kryerjeve të punëve për remontin e turbinës dhe gjeneratorit të Njësisë A5 të TC “Kosova A”.
Emri i Krasniqit, u përmend edhe në rastin e skandalit financiar të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Ky i fundit u raportua se ishte takuar në Kroaci me Krasniqin gjatë muajit mars të vitit të kaluar.Megjithatë, këtë e kishte mohuar Berishaj gjatë raportimit të tij në Komisionin Hetimor për Energjinë në Kuvendin e Kosovës më 17 nëntor të vitit të kaluar.
“Nuk kam pasur takim me kryeshefin e Korporatës Energjetike të Kosovës. Unë gjitha takimet fillimisht i bëjë në ambasadë. Jam shumë i gëzuar që kam pas mundësin ta shpjegoj një shpifje të madhe që është bërë”, pati thënë Berishaj.
Më 2 dhjetor të vitit 2024, Krasniqi ishte ftuar për të raportuar para Komisionit Hetimor Parlamentar i Kosovës lidhur me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022.
Por, e kishte lëshuar mbledhjen pas pyetjes së kryetarit të këtij komisioni, Hajdar Beqa, i cili kishte kërkuar informacione nga Krasniqi për mos fillimin e remontit të bllokut A5 në Termocentralin “Kosova A”.
Me gjithë akuzat ndaj tij, në letrën e tij përshëndetëse pasi u shkarkua nga pozita në fund të muajit prill të këtij viti, Krasniqi në platformën e tij në “LinkedIn” pati theksuar se nuk ka arritur ta përmbush plotësisht objektivin e tij, porse ka lënë “disa gjurmë të mira”.
“Ne humbëm disa beteja kyçe përgjatë rrugës, kemi humbur disa njerëz të mirë, dështuam të fitojmë…dhe këto janë disa nga shijet e mia të hidhura që i mora me vete. Por, ne lamë pas vete disa gjurmë të mira, dhe rrënjosëm thellë idenë dhe konceptin se ndryshimi dhe transformimi është i mundur”, pati shkruar ai.
Tani, në vend të tij Bordi i Drejtorëve të KEK-ut ka zgjedhur në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv në Korporatën Energjetike të Kosovës, Bekir Gërgurin.