Durrësi nën ujë pas përmbytjeve një ditë më parë. 40 hektarë tokë bujqësore nën ujë, 300 banesa të përmbytura, ndërkohë që janë evakuuar 10 familje. Problematika më të theksuara në zonën e Durrësit të Ri, Shkozetit, Gjykata e Apelit, pjesërisht Zona e Plazhit.
Rrebeshet e shiu kanë shkaktuar përmbytje në Durrës, duke krijuar problematika të shumta në disa zona të qytetit. 300 banesa dhe ambiente publike janë nën ujë, ndërsa burime për Report Tv bëjnë me dije se 10 familje janë evakuuar nga banesat të cilat u pushtuan nga uji që vërshoi pas reshjeve të dendura të shiut një ditë më parë, 29 janar.
Problematika më të theksuara kanë rrugët dytësore në zonën e Durrësit të Ri, Shkozetit, Gjykata e Apelit, pjesërisht Zona e Plazhit. Ka një rritje të lehtë të niveleve të lumenjve Ishëm dhe Erzen, por pa rrezik për daljen nga shtrati.
Hidrovorët në Hamallaj dhe Porto Romano vijojnë punën me kapacitet të plotë. Në terren janë të angazhuara forca nga MZSH, Autoriteti Portual, Bordi i Kullimit, ndërmarrjet e punëve publike të bashkisë.
Në mbështetje të forcave në terren janë angazhuar 2 pompa thithëse me kapacitet të lartë dhe 3 kamionë të kalueshmërisë së lartë nga Forcat e Armatosura.
300 banesa në zonën e Durrësit të Ri, Shkozet, Nishtulla, kryqëzimi pranë burgut ndodhen nën ujë pas reshjeve të shiut që ranë dje.
Lajmin e bëri të ditur kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako përmes një postimi në Facebook.
“Rreth 300 banesa në total, nga të cilat 200 shtëpi janë në zonën e Durrësit të Ri, 60 në zonën e Shkozetit dhe Plazhit, 4 banesa në njësinë administrative 4, 1 shtëpi në njësinë 1, 20 banesa në Sukth, 10 në Katund të Ri dhe 5 shtepi në Rrashbull”, shkroi Sako, teksa theksoi se grupet e punës ndodhen në terren.
Rënia e gurëve dhe situata në një nga rrugët e Kukësit
I gjithë qarku i Kukësit është përfshirë gjatë natës nga reshje shiu me intensitet të lartë. Aktualisht nuk ka reshje shiu dhe situata raportohet normale nga strukturat vendore.
Sipas të dhënave, në disa segmente rrugore ka pasur rënie gurësh dhe inertesh në rrugë. Më problematike situata ka qenë në rrugën Kukës-Qaf Mali-Pukë, ku nga segmenti Kolsh-Qaf Shllak, ka prezencë të gurëve e dherave në rrugë.
Subjekti kontraktor për mirëmbajtje ka punuar dhe po punon për pastrimin dhe mbajtjen funksionale të këtij aksi. Sipas KMC-së, rrugët nacionale janë të qarkullueshme normalisht, ndërsa nga bashkitë Kukës, Tropojë dhe Has nuk ka raportime për ndonjë problematikë.
Gazetari i Report TV, Benet Beqiri, informon se të gjitha rrugët janë të kalueshme. Policia këshillon që përdoruesit e rrugës të bëjnë kujdes në lëvizje dhe të respektojnë sinjalistikën, të reduktojnë shpejtësinë për shkak të lagështisë në rrugë.
Furnizimi me energji elektrike është normal në gjithë territorin e Qarkut Kukës, përveç fshatit Gabricë, Njësia Administrative Bicaj, Bashkia Kukës dhe 12 abonentë të Fshatit Berishë, njësia Bytyç, në Bashkinë Tropojë. Furnizimi me ujë të pijshëm është normal.