:
Një dron i lëshuar nga Libani sot goditi rezidencën e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në Izraelin verior, tha zyra e tij, transmeton Anadolu.
Zyra e kryeministrit në një deklaratë tha se droni i nisur nga Libani kishte në shënjestër shtëpinë private të Netanyahut në Cezare, në veri të Izraelit.
Ajo shtoi se kryeministri dhe familja e tij nuk ishin në shtëpi në momentin e sulmit.
Më herët, ushtria izraelite tha se tre dronë u lëshuan nga Libani, dy prej të cilëve u kapën me sukses, ndërsa i treti u përplas me një ndërtesë në Cezare, në veri të Izraelit. Nuk raportohet për viktima.
Ndërsa lufta ndërkufitare midis forcave izraelite dhe Hezbollahut vazhdon që nga fillimi i luftës në Gaza tetorin e kaluar, Izraeli e përshkallëzoi ofensivën e tij në Liban në fund të muajit të kaluar, duke vrarë liderin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah dhe, shumë komandantë të tjerë.
Sulmet e gjera ajrore, të ndjekura nga një inkursion tokësor, kanë marrë më shumë se 1.500 jetë dhe kanë zhvendosur rreth 1,2 milion njerëz.