35
“Në takim u diskutua lidhur me përgatitjet që po bëhen lidhur me kërkesën për zgjedhje të reja në veri të vendit, nëpërmjet mbledhjes së 20% të nënshkrimeve të trupit votues, ashtu siç parashihet në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe Udhëzimin Administrativ të hartuar për këtë çështje. Presidentja shprehu besimin e saj se KQZ-ja, si institucion përgjegjës për administrimin e votimit, do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura dhe brenda afateve që ky proces të realizohet duke respektuar këtë të drejtë të qytetarëve në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi”.
Ky është njoftimi i kabinetit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me kryetarin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, në të cilin e para e vendit nuk tregon për hapat që do të ndërmarrë pasi që ky institucion të verifikojë nënshkrimet e mbledhura nga qytetarët serbë të komunave veriore të Kosovës, shkruan Demokracia.com.
Në këtë njoftim, Osmani shihet qartësisht se ka hequr dorë nga detyra e saj e përcaktuar në nenin 84 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 4 të Ligjit për Zgjedhjet Lokale.
Sipas këtyre dy dokumenteve është obligim i Presidentit të Republikës së Kosovës që të shpallë dhe caktojë datë për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës dhe për Zgjedhjet Lokale.