Të martën e 8 majit, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte deklaruar se qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në Këshill të Evropës me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Por, kjo “deklaratë këmbëngulëse” e Kurtit ra poshtë vetëm shtatë ditë pas, me letrën e dërguar dje nga Donika Gërvalla-Schwarz në adresë të Këshillit të Evropës, e ku kryediplomatja kosovare zotohet se Qeveria e Kosovës, në fund të këtij muaji, do ta miratojë dhe dërgojë në Gjykatë Kushtetuese një draft-statut për Asociacionin të shkruar nga vetë ekzekutivi kosovar, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Një javë para, Kryeministri Kurti kishte thënë se Kosova veçse kishte plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara, dhe se kërkesa për Asociacionin për t’i hapur rrugë Kosovës drejt KiE ishte “absurde dhe joparimore”.
“Qeveria ka punuar parreshtur dhe ka bërë çdo veprim për të plotësuar kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës. Ne duam anëtarësim meritor. E meritojmë anëtarësimin në KiE pasi ndajmë vlerat e përbashkëta dhe plotësojmë standardet e kërkuara. Anëtarësimin e shohim sidomos për nga përfitimet që sjell për qytetarët, veçanërisht për komunitetet joshumicë duke ju dhënë qasje në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut. Qeveria nuk e ka pranuar draftin e emisarit Miroslav Lajçak sepse ai është refuzuar me 26 tetor 2023, e dy ditë para kësaj unë kam dorëzuar vërejtjet e mia kapitale për atë draft-statut. Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në KiE me Asociacion. Për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë bisedojmë Bruksel dhe jo në Strasburg. Neni 7 dhe 10 nuk mund të nxirret jashtë marrëveshjes, si një çështje urgjente”, kishte thënë Kurti në mbledhjen e qeverisë, javën e kaluar.
Por, ani pse e kishin parë si kërkesë absurde, ditën e sotme Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz ka njoftuar se dje ka dërguar në Presidencën e KiE-së një letër zotuese për Asociacionin, zotim të cilin ajo tha se ishte “serioz dhe i sinqertë”.
“Letra përmban zotimin që qeveria e Republikës së Kosovës do të përgatisë një draft për krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili përmbush detyrimet e trashëguara ndërkombëtare të Kosovës, plotëson nevojat e qytetarëve të komunitetit serb të Republikës së Kosovës, por njëkohësisht respekton në tërësi dhe në secilin detaj të tij Kushtetutën dhe të gjitha ligjet e Republikës së Kosovës si dhe njëkohësisht edhe parimet e Këshillit të Evropës”, ka njoftuar Gërvalla rreth letrës së saj të dërguar në adresën e Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Në letër, kryediplomatja kosovare, në emër të Qeverisë së Kosovës, zotohet se drafti i shkruar nga Kosova do të miratohet në Qeveri më së largu në fund të majit dhe do të procedohet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
Letra që u shkrua e u dërgua të mërkurën, në publik doli të enjten në mëngjes përmes një njoftimi që e lëshoi vetë Gërvalla-Schwarz. Ndërkohë që Kryeministri Albin Kurti ndodhej në Kotor të Malit të Zi, ku po merr pjesë në një samit BE-Ballkani Perëndimor, derisa Presidenca e Kosovës u distancua nga veprimi pasi “nuk është konsultuar dhe dakorduar me Presidenten Vjosa Osmani”.
Nga ana tjetër, duke folur për letrën, Gërvalla të enjten tha se tani është radha që Këshilli i Evropës t’i përmbush detyrimet e veta. Shtoi se oferta e njëjtë e Kurtit ishte refuzuar dy herë, më 28 mars 2023 në Ohër, si dhe 2 maj 2023 në Bruksel dhe se shpreson se kjo ofertë e tretë të pranohet, por që siç tha ajo varet tanimë nga vendet anëtare të KiE, dhe jo nga Kosova.
Por, për Gjermaninë letra zotuese e Donika Gërvallës nuk është bindëse për të ndryshuar qëndrimin e tyre rreth anëtarësimit të Kosovës në KiE. Në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net, ambasada gjermane në Kosovë tha se “hapi i vështirë ende nuk ka ndodhur”.
“Quint-i dhe të tjerët kanë theksuar vazhdimisht se Kosova pritet të ndërmarrë hapa të prekshëm për themelimin e Asociacionit (ASM) në mënyrë që të arrijë shumicën e nevojshme prej dy të tretave në Komitetin e Ministrave që aplikimi për anëtarësim të jetë i suksesshëm. Sipas mendimit tonë, dorëzimi i draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese përpara mbledhjes së Komitetit do të ishte një hap i tillë. Siç tha ambasadori Rohde në postimin e tij në Twitter pas votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës: “Kosova tani duhet të bëjë punët e vështira”. Kjo ende nuk ka ndodhur”, thuhet tutje në përgjigjen e ambasadës për Reporteri.net.
Se vendimi dhe zotimi i sotëm ishte i vonshëm nga ana e Kosovës për t’u futur nesër në agjendë për votim nga Këshilli i Ministrave për anëtarësimin në KiE, u tha sot nga opozita.
Lidhja Demokratike e Kosovës thanë se kishte qenë pikëpamje e tyre që draft-statuti i Asociacionit të bëhej nga Kosova, dhe vonesa e tij tani, është veçse dëm për Kosovën.
“Draft-statuti i Asociacionit tani s’jep efektin e duhur”, e tha kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Ky i fundit tha se “tani Kosova është vonë për anëtarësim në Këshill të Evropës”, derisa shtoi se është i mirë fakti që Kosova do të jetë autore e këtij dokumenti.
“Skandaloze” e quajti letrën e ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, drejtuar Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Vlora Çitaku, sekretare e përgjithshme e PDK-së.
“Diplomacia nuk është lojë fëmijësh”, shtoi tutje Çitaku.
Më 16 prill, Kosova kaloi me sukses edhe hapin e dytë, për të vazhduar tek ai i fundit me 16 ose 17 maj, por që vendi ynë nuk u futur në agjendën e mbledhjes së Komitetit të Ministrave në Këshill të Evropës. /Reporteri.net/