Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Jovan Viqentijeviq, thotë se ekziston dyshimi i bazuar se ai bashkë me vëllanë e tij. Dragisha Viqentijeviq me qëllim kanë dëmtuar pajisjen e ujësjellësit dhe kanë kryer veprën terroriste, duke përdorur eksploziv.
Dosja e Prokurorisë e siguruar ekskluzivisht nga “Betimi për Drejtësi“, rezulton të jetë parashtruar më 2 dhjetor 2024 në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 29 nëntor 2024, rreth orës 18:50 në fshatin Varagë, Komuna e Zubin-Potokut, respektivisht në pjesën e kanalit Ibër-Lepenc, e cila përdoret për furnizimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës me ujë të pijshëm dhe për nevoja të termocentraleve të Kosovës për prodhimin e energjisë elektrike, i dyshuari Jovan Viqentijeviq në bashkëkryerje me të dyshuarin Dragisha Viqentijevq (vëllanë e tij), me qëllim të shqetësimit serioz të banorëve dhe cenimit të rendit kushtetues dhe sigurisë publike në Republikën e Kosovës, qëllimisht kanë dëmtuar pajisjet publike të ujësjellësit dhe kanë kryer veprën penale terroriste duke përdorur eksploziv dhe mjete eksplozive drejtpërdrejt në pjesën e kanalit dhe atë në infrastrukturën e betonit.
Dosja e Prokurorisë thotë që të dyshuarit e kanë aktivizuar eksplozivin dhe si pasojë kanë dëmtuar rëndë dhe e kanë bërë të papërdorshëm për shfrytëzim të mëtutjeshëm ujin, kështu që ua kanë pamundësuar qytetarëve furnizimin me ujë për pije dhe e kanë rrezikuar prodhimin e energjisë elektrikë në nivel te vendit.
Me këtë, dyshohen se kanë kryer veprën penale “Rrezikimi i rendit kushtetues duke shkatërruar apo dëmtuar pajisjet publike” sipas nenit 122 lidhur me veprën penale “Kryerja e veprës penale terroriste” nga neni 129, paragrafi 1 dhe nenit 128. paragrafi 1,.1 i lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Kosovës.
Sipas Prokurorisë, më 1 dhjetor 2024, rreth orës 18:30 në fshatin Prevllakë, në shtëpinë e të pandehurit Jovan Viqentijeviq, gjstë kontrollit nga ana e Policisë janë gjetur dhe sekuestruar: 3 granata dore BRM 75, 500 fishekë të kalibrit 7.9 mm, fishekë të ndryshëm të kalibrave të ndryshëm ende të panumëruar, dy thika për pushkë luftarake, dy karikatorë AK-47, një karikatorë për pushkë, mekanizëm për mbushjen e pushkës së gjuetisë MK-16, pushkë gjuetie, një thikë me këllëf, të cilën i pandehuri e mbante pa autorizim dhe pa leje nga organet kompetente, duke shkelur Ligjin për Armës nr.05/L-002.
Me këtë, dyshohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 2 dhe 1 të Kodit Penal.
Në kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, thuhet se bazuar në dëshmitë që posedojnë, ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari ka kryer veprën kryer veprat penale për të cilat dyshohet.
Prokuroria thekson se Jovan Viqentijeviq, nuk e ka pranuar se e ka kryer veprën penale, por ka pranuar se pushka automatike e gjetur tek bashkëkryerësi, vëllai i tij Dragisha Viqentijeviq, është e tij, duke mos pranuar armën tjetër përveç fishekëve në shtëpinë e tij në Prevllakë.