SHAK është në pronësi të kompanisë së arkitektit Astrit Nixha, “ANARCH” SH.P.K. dhe kompanisë Ardi CC L.L.C. Demokracia.com ka pasur qasje në ofertën e tenderit të realizuar nga Komuna e Prishtinës dhe ka raportuar për referencat e dyshimta të paraqitura nga dy kompanitë pjesëmarrëse në tender, që kanë lidhur kontratë me komunën e Përparim Ramës.
Por, cila ka qenë përbërja e komisionit vlerësues të tenderit dhe stafi që ka paraqitur SHAK në ofertë?
Komisioni i kombinuar me staf të komunës dhe të jashtëm.
Demokracia.com ka gjetur se anëtari i komisionit vlerësues të tenderit, Kreshnik Ferizi, në të kaluarën ka qenë punëtor i Astrit Nixhës, konkretisht i kompanisë ‘Anarch’ nga viti 2004 deri në vitin 2005.
Ndërsa, nga viti 2003 deri në 2004 ka shkruar se ka punuar në kompaninë “Nixha & partnerë”, ku si shef e ka pas Astrit Nixhën, i cili një vit më vonë ka themeluar kompaninë e tij, ku e ka marrë edhe punëtorin Kreshnik Ferizi, i cili shihet se pëlqen vazhdimisht postimet e firmës Anarch në Facebook, të cilës ia vlerësoi edhe ofertën me pikë maksimale në një tender që peshon hiç më pak se 12 milionë euro. Ferizi është pronar në kompaninë “Tulla”. Edhe kjo kompani ka marrë tender të ndërtimit në Komunën e Prishtinës, si projektues objektorësh.
Anëtari tjetër i komisionit vlerësues, Bekim Bajraktaraj, shihet në shoqëri të ngushtë me dy arkitektë më të cilët ka lidhur kontratë SHAK. Pra, që janë paraqitur edhe si staf i kompanisë në ofertën për garim. Ai shihet në shoqëri të ngushtë me Bledion Baraliun dhe Freskim Sylejmanin.
Baraliu e Sylejmani, pos që janë shokë dhe kanë lidhur kontratë me Astrit Nixhën, janë kolegë ortakë edhe në kompaninë “Archi Edu”. Madje, Freskim Sylejmani i ka lëshuar edhe një letër reference atij nga kompania “Archi Edu” për ta paraqitur në tenderin e Nixhës, anipse është aksionar vetë aty. Janë një pjesë e konsiderueshme e stafit të kompanisë “Archi Edu” që kanë lidh kontratë me SHAK.
Për më tepër, nga CV-ja që ka parë Demokracia.com, Baraliu ka shkruar se ka punuar edhe për kompaninë e kryetarit Përparim Rama “4m Group”.
Kjo i bie se Bekim Bajraktaraj ka vlerësuar me pikë edhe stafin më të cilët është në marrëdhënie shoqërore dhe të cilët kanë qenë punëtorë të Përparim Ramës.
Kompania “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit” ka ofruar çmim jashtëzakonisht të lartë, shumëfish më të lartë se kompanitë e tjera që kanë qenë në garë, por kompanisë i është vlerësuar shumë lartë stafi dhe referencat e kompanisë.
Anëtari tjetër i komisioni vlerësues, Bekim Mustafa është profesor i rregullt në UBT. Ai e ka në pronësi edhe kompaninë “BB ARCHITECTS SH.P.K”. Kjo kompani rezulton se ka bërë disa projekte për ndërtime që kanë marrë leje në Komunën e Prishtinës.
Nga CV-të e prezantuara të stafit, Demokracia.com ka parë se disa ekspertë të prezantuar si staf nga “SHAK” janë ligjërues në UBT. Kjo i bie që Mustafa ka vlerësuar me pikë për një tender publik kolegët e vet nga universiteti privat.
Këta kanë lidhur kontrata me Astrit Nixhen vetëm për këtë tender, pasi që kanë qenë duke punuar në kompani të tjera, pos njërit që është edhe punëtor në “Anarch”.
Mësimdhënës në UBT ose kolegë me Bekim Mustafën janë ekipi i SHAK: Arbër Muçaj, Driton Kryeziu, Armend Mujaj, Gent Hasimja, Marjan Ivezaj.
Disa prej punëtorëve si staf më të cilët është lidhur kontratë janë nëpunës publikë.
Fidan Bilalli është zyrtar me kontratë të rregullt në MMPHI, si zyrtar i sistemit informativ dhe librit ujor.
Fadil Shehu është zyrtar i lartë në Ndërmarrjen Publike Qendrore “Ibër Lepenc”.
Elda Maci Vorpsi ka shkruar se është në marrëdhënie pune me Bashkinë e Tiranës, konkretisht në Drejtorinë e Përgjithshme të Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit.
Bazuar në dokumentacionin që e ka parë Demokracia.com, shihet se “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit” ka ofruar staf të ‘marr me qira’ që nuk kanë qenë punëtorë të “Anarch” dhe “Ardi”.
Aty shihet se kontratat për stafin nuk posedojnë vulën e anëtarit të grupit me të cilin kanë lidhur marrëdhënie pune nëse shpallet fitues për këtë kontratë, pos nënshkrimin e Astrit Nixhës. Një kontratë është e vlefshme kur përmban të gjitha shënimet, datën, qëllimin e kontratës, detyrat dhe obligimet e palëve, por përmbyllja e kontratës dhe vlefshmëria e saj konfirmohet me nënshkrimin dhe vulën e OE -Punëdhënësit. Në të gjitha kontratat me staf mungon vula e OE.
Për më tepër, stafi i paraqitur nga kompania ‘Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit’ nuk plotëson kërkesat nga FDT, pasi që ka paraqitur kontrata të punësimit të nënshkruara nga një grup ekonomik i paformuar ligjërisht pa asnjë obligim në lidhje me marrëdhëniet detyrimore mes palëve. Bëhet fjalë për kompaninë “Asseco”, të cilin e ka paraqitur si nënkontraktor. Disa punëtorë kanë lidhur kontratë me “Asseco” për të kryer punë të SHAK.
Kontratat e punës apo parakontratat, GOE duhet t’i realizojë në emër të ndonjërit nga anëtarët e grupit, siç kërkohet me ligjet dhe rregulloret e aplikueshme në Kosovë.