35
16-vjetori i shpalljes së pavarësisë së Kosovës e ka gjetur kryeqytetin të stolisur me flamuj. Vendosja e flamujve është bërë nga Ndërmarrja Publike që është nën menaxhimin e Komunës së Prishtinës, “Hortikultura”. Tash kjo ndërmarrje quhet “Gjelbër”. Ministrja Donika Gërvalla-Schwarz, po dëshiron që Prishtina të stoliset me flamuj kësisoj edhe kur të vijnë delegacione të larta shtetërore. Por, ajo ka hasur në një problem, shkruan Demokracia.com.
Nga ato pak vizita, më 21 dhjetor 2023 në Kosovë ishte Presidenti i Bullgarisë për vizitë shtetërore. Ndërsa, gjatë muajit janar 2024, për vizitë ishte Kryeministri i Irlandës dhe pritet të realizohet vizita shtetërore e Presidentit të Maqedonisë së Veriut. Ndërkaq, gjatë vitit 2024, sipas planifikimeve, MPJD-ja pret së paku 12 vizita të këtij niveli.
Me praktikën që Protokolli i Shtetit gjatë vizitave të nivelit të lartë shtetërorë si të Kryetarëve të Shteteve, Kryeministrave dhe Kryetarëve të Parlamenteve, ka për obligim vendosjen e flamujve të shtetit nga i cili vjen zyrtari i lartë në sheshet e Prishtinës, që zakonisht kërkohet që së paku 200 flamuj të vendosen dy orë para vizitës zyrtare dhe të hiqen nga shtizat menjëherë pas përfundimit të vizitës.
E ndodhur në këtë situatë, MPJD-ja nuk pati si të procedojë ndryshe, pos të ftojë për kontratë kompaninë publike të KP-së “Gjelbër”, meqenëse vetëm kjo kompani merret me këtë punë në kryeqytet. Deri më tani këtë shërbim e ka bërë pa pagesë dhe ka mjaftuar që vetëm t’i dërgohen flamujt nga institucioni. Por, që disa muaj, meqë punonjësit e saj kanë paga të vogla, për shërbimin po kërkohen para.
“Besoj që jeni të njoftuar se shumë shpesh hasim në probleme të ndryshme në vendosje heqje të flamujve meqë janë të përfshira disa institucione dhe shërbimet e tyre të kombinuara. Si mundësi për të evituar këtë telashe të përsëritshme, propozoj të kontaktohet shërbimi me Ndërmarrjes Publike Komunale të Prishtinës Gjelbër (ish Hortikultura) meqë kjo ndërmarrje pas ristrukturimit të brendshëm shërbimin e ofron vetëm me pagesë. Do te parashihen dy mundësi • shërbimet e vendosjes dhe heqjes së flamujve shtetërorë kur MPJD dërgon flamujt dhe • ndërmarrja ofron shërbimin e vendosjes heqjes së flamujve të e siguruar nga ndërmarrja “Gjelbër” (sipas kërkesës së PSH). Arsyeja e kësaj kërkese është se vetëm kjo ndërmarrje si institucion vartës i Komunës së Prishtinës ka të drejtën e vendosjes dhe heqjes së flamujve në sheshet rrugët e Prishtinës, dhe nga ristrukturimi i brendshëm i ndërmarrjes shërbimet që janë specifike, i ofron me kompensim financiar”, shkroi MPJD-ja në arsyetimin e saj të cilin e ka parë Demokracia.com.
Andaj, bazuar në Ligjin për Përkujtimin Publik, prokurimi i MPJ-së i ka dërguar ofertë me negocim që të plotësojë ofertën tenderuese dhe të njëjtën ta dorëzojë tek prokurimi i saj.
Kjo kompani komunale realizon tender kohë pas kohe dhe e ka zyrtarin e saj të prokurimit, ose procedurat ia kryen zyra e prokurimit të kryetarit Përparim Rama. Kërkesat e vendosura në dosje të tenderit kanë qenë shumë të thjeshta. Por, bazuar në ‘letrën standarde’ të prokurimit që e ka parë Demokracia.com, kompania nuk i ka plotësuar ato, madje duke bërë edhe gabime aritmetike në vendosjen e çmimit. Kjo në pamje të parë duket të ketë qenë e qëllimshme nga ana e prokurimit të Ndërmarrjes.
E ndodhur në këtë situatë, prokurimi i MPJ-së është obliguar që të anulojë më 15 shkurt aktivitetin e prokurimit.
Mbetët të shihet sesi do të procedojë tutje, nëse do të shkojë me ritenderim apo do të heqë dorë nga vendosja e famujve zyrtarë në Prishtinë. /Demokracia.com/