Hapja e Festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër, “DokuFest” është përherë një lloj filmi më vete, i paparashikueshëm deri në ceremoni, befasues po se po. Kësisoj ka qenë edhe të premten mbrëma, pa fjalime, por me inserte filmash dhe një kryevepër bardhezi që ka shënuar 60-vjetorin, por ngjan sikur i flet së tashmes. Kolazhi i parë me imazhe nga fushatat politike në botë e trazira të mjegulluara, shpejt përcillet me komentet se “e tashmja ka dalë nga kontrolli” e “realiteti është mjegulluar”. Më pas projektori është ndezur për “Dr. Strangelove”, të Stanley Kubrickut. Këtë edicion do shfaqen 103 filma në garë dhe mbi 200 filma në përgjithësi. Janë gjithsej tetë programe garuese që sivjet në edicionin e 23-të midis tjerash, kanë në fokus Ukrainën e Palestinën ku flakët e luftës nuk shuhen dot. “New Order” apo “Rendi i ri” është thirrje, flutura është imazhi i sivjetmë dhe ka një kuptim të shumëfishtë
Hapja e Festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” ka qenë e thjeshtë sivjet, formale, por me shumë mesazhe. Gjithçka ka nisur me imazhin e përhershëm – kinemanë plot e filmin që ndez projektorin me një temë universale për botën.
Të premten mbrëma janë hapur dyert e eksplorimit të programit. Ndryshe prej viteve të kaluara kur në hapje të programit madhor të festivalit që përfshin disa njësi përbrenda dhe pjesës qendrore me një numër të konsiderueshëm të filmave, sivjet duket se është lënë të flasin vetë filmat.
Turma e njerëzve rreth një orë para kohës së paraparë për hapje nis të mblidhet. Imazhi para kinemasë “Lumbardhi” tregon për një audiencë besnike të përbërë prej komunitetit të artistëve në vend. Por jo vetëm. Organizatorët kanë paralajmëruar se një delegacion i kineastëve nga Ukraina do të jetë prezent gjatë ditëve të festivalit.
Në kinemanë “Lumbardhi” që është hapësira qendrore e “DokuFestit”, ekrani është ndezur për filmin “Dr. Strangelove or: Hoe I Learned to Stop Worrying and Love the Bomb” të regjisorit ikonik, Stanley Kubrick. Është filmi i vitit 1964. Aktual edhe sot.
Është një lloj satire si kontrapunkt ndaj makthit të së kaluarës që përcjell edhe 60 vjet pas prejse është lansuar filmi.
Aty luajnë aktorët: Peter Sellers, George C. Scott, Sterling Hayden, Slim Pickens, James Jones, Tracy Reed e të tjerë.
Ka qenë introja e festivalit ajo e cila paraprakisht ka reflektuar me realitetin në botë. Ajo që nis me imazhe nga fushatat politike në botë e trazira të mjegulluara, shpejt përcillet me komentet se “e tashmja ka dalë nga kontrolli” e “realiteti është mjegulluar” (Foto: Elmedina Arapi, Agon Dana)
“E tashmja ka dalë nga kontrolli…”, “Realiteti është mjegulluar”
Por ka qenë introja e festivalit ajo e cila paraprakisht ka reflektuar me realitetin në botë. Ajo që nis me imazhe nga fushatat politike në botë e trazira të mjegulluara, shpejt përcillet me komentet se “e tashmja ka dalë nga kontrolli” e “realiteti është mjegulluar”. Se “revolucioni nuk do të transmetohet” e shtrohet pyetja se “a po visheni me turpin e krimit tuaj?” derisa intensifikohet shfaqja e imazhit nga vatra e luftës.
“Dhe kur gjithë luftërat të mbarojnë, një flutur do të jetë ende e bukur”, është mesazhi i fundit në intron që sivjet si shenjë ka figurën e një fluture. Është simbol i transformimit dhe rilindjes dhe reflekton drejtpërdrejt në temën e edicionit të 23-të të Festivalit që zgjat deri më 10 gusht.
Edhe më e thellë e filozofike është introja e gjatë. E kujton njeriun për humanitetin e tij. Është thirrje e shumëfishtë. Edhe për të mos u nënshtruar ndaj pushtetarëve. Nga perspektiva e botës, zhvendoset në Kosovë. Në origjinën e festivalit, aty ku kinematografia e gjen veten, e më pas adresë e kanë Festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër në Prizren.
“Edhe sa thirrje të humbura”, është thirrja e prindërve për të dashurit e tyre të zhdukur me dhunë. Janë imazhe nga momentet e çlirimit në Kosovë, e festa e Pavarësisë. Potencohet fuqia e njeriut për të krijuar lumturi, liri e për të qenë të bashkuar.
Mesazhi i rikthimit të rrëfimit për Luftën e Ftohtë
“E shpallim DokuFestin të hapur” në projektor ka shënuar mbylljen e ceremonisë së hapjes. Është përcjellë me shumë brohoritje e duartokitje nga publiku, për t’i lënë vend filmit të Kubrickut.
Mesazhet nga aspekti kinematografik i festivalit nisin me “Dr. Strangelove…” të Kubrickut, i cili përshkruan se si filmi merr kompleksitetin njerëzor dhe e zbërthen atë deri në thelb.
Gjithçka fillon kur një gjeneral i Komandës Ajrore Strategjike urdhëron avionët me bomba nën komandën e tij të sulmojnë Rusinë. Duke vepruar krye më vete, kujdeset që askush, madje as presidenti të mos munden t’i kundërshtojnë urdhrat e tij. Ky është momenti kur nisin ngjarje që lënë nën ethe e emocionuese. Më dramatik bëhet në versionin bardhezi.
Ndonëse komedi, filmi ngjall frikë për ekzistencë. Se sa i lehtë dhe i qasshëm është shkatërrimi dhe sa të mëdha mund të jenë përmasat e tij.
Kryevepra e Kubrickut mund të konsiderohet si e kundërta e çdo gjëje që do të duhej të funksiononte drejt. 60 vjet pas, pavarësisht se kanë kaluar dekada të tëra nga Lufta e Ftohtë, të cilën temë e trajton, ende ngjan i rëndësishëm në kohë luftërash. Lidhet drejtpërdrejt me gjendjen në botë, me gjenocidin në Palestinë e Ukrainë. Krejt këto, me temën e sivjetme të festivalit – “New Order” (Rend i ri) që vjen si thirrje e kundërshti ndaj kaosit që s’i shihet fundi.
Filmi, ndonëse triller, i përshtatet mjaft mirë formatit të festivalit, pasi kaosi jashtë bazës në film sjell imazhe në mënyrë dokumentare.
Pikëllues është fundi i cili përshkruan botën duke u shkatërruar në një luftë bërthamore. Në anën tjetër, është rrëqethës fakti se si një fatkeqësi kaq e madhe mund të nisë kaq thjesht nga një urdhër dhe është kaq e vështirë të pengohet për shkak të një qeverie fillimisht, e më pas edhe një ushtrie joefektive dhe të shkëputur nga shteti.
“Dr. Strangelove…” dëshmohet i përjetshëm, sepse universal është ankthi i përhershëm të cilin filmi unik veçse e rizgjon.
Edhe edicioni i kaluar që qe mbajtur nën temën “I am AI am I” ose “Unë jam IA a jam” po në “Lumbardh” kishte ndezur ekranin me një film të regjisorit legjendar Stanley Kubrick. Ishte një udhëtim në hapësirë e në kohë i vitit 1968.
Mesazhet nga aspekti kinematografik i festivalit nisin me “Dr. Strangelove…” të Kubrickut, i cili përshkruan se si filmi merr kompleksitetin njerëzor dhe e zbërthen atë deri në thelb (Foto: Elmedina Arapi, Agon Dana)
Në të njëjtën kohë, paralelisht me ‘Dr. Strangelove…” është shfaqur filmi “Hollywoodgate” nga programi jashtë garës, tradicional i festivalit, “View from the world” e “And so it Begins” në “Sonar Cinema” që garon në “Truth Dox”. Në terminë më të vonshëm kanë nisur shfaqjet e filmave edhe në kategoritë “Human Rights Dox” e “Green Dox”, ndërsa nata e parë e festivalit është përmbyllur me artisten Aisha Devi, indigjene nga Nepali që jeton në Zvicër, po në bahçen e “Lumbardhit” kur është shënuar koncerti i parë i “DokuNights”.
Këtë edicion do të shfaqen gjithsej 103 filma në garë dhe mbi 200 filma në përgjithësi. Janë gjithsej tetë programe në garë dhe të tjerë jashtë garës që sivjet midis tjerash, kanë në fokus Ukrainën e Palestinën.
Fokusi tek Ukraina dhe shpalosja e historisë së filmit vendor
Eroll Bilibani, udhëheqës i programit edukativ “DokuLab” të “DokuFest”, ka thënë se kjo është risia e festivalit sivjet.
“Ky edicion, i 23-ti do të sjellë risi. E kemi një fokus shumë interesant, ku e kemi një bashkëpunim me festivalin e filmit në Ukrainë, ‘DokuDays’. Së bashku me ta do ta sjellim fokusin më të madh që e kanë pasur prodhuesit e filmave nga Ukraina të cilët janë filmat e fundit që sjellin tregimet e fundit nga lufta në Ukrainë”, ka thënë Bilibani.
Ka përmendur se krahas programit të filmave, festivali edhe me ekspozitë ia kushton hapësirën luftës në Ukrainë. Tjetër ekspozitë e veçantë do të jetë ajo që i kushtohet trashëgimisë së kinematografisë në vend.
“Është një bashkëpunim që e kemi bërë me festivalin ‘BelDocs’, është ajo që kemi hulumtuar gjatë tërë vitit trashëgiminë tonë të filmit dhe të filmbërësve që kanë qenë nga Kosova e që kanë kontribuuar në kinematografinë në Jugosllavi. Punë për të cilën dihet shumë pak”, ka thënë Bilibani më tej.
Gjithçka ka nisur me imazhin e përhershëm – kinemanë plot e filmin që ndez projektorin me një temë universa
Gara Kombëtare më e fuqishmja deri më tani
Në program, emra të shquar të kinematografisë vendore mblidhen në Garën Kombëtare. Në kuadër të programit është edhe filmi “Rrugës” i Samir Karahodës që e përmbyll edicionin, por nuk garon.
“Këtë edicion kemi 26 filma të shkurtër, gjashtë prej tyre janë premierë botërore. Kemi një numër të madh të autorëve që do të jenë në program gjatë këtyre ditëve të festivalit që është një mundësi e mirë për publikun të ketë debate të drejtpërdrejta me ta. Po ashtu, vlen të përmendet edhe Gara Kombëtare ku kemi 14 filma. Të gjithë janë filma të shkurtër dokumentarë dhe fiksion. Edhe aty të gjithë autorët do të jenë prezentë. Kur them Gara Kombëtare, them për të gjithë autorët shqiptarë kudo në botë”, ka thënë Karahoda.
E ka konsideruar garën më të mirë ndonjëherë në këtë kategori të festivalit.
“Mund të them pa pikë dyshimi se është gara më e mirë që kemi pasur deri tash. Janë filma jashtëzakonisht të suksesshëm që kanë filluar këtë vit në festivale të mëdha. Vlen të përmendet se kjo lidhet drejtpërdrejt me zhvillim jashtëzakonisht të madh të kinematografisë sonë. Po besoj që festivali ‘DokuFest’ ka qenë i madh dhe mund të them i pari që ka filluar në Kosovë dhe ne, qoftë si organizatorë e si autorë, kemi marrë mësim”, ka thënë Karahoda.
“DokuFesti” pret që njeriu ta ndiejë kaosin në të cilin po jeton. Të eksplorojë përjetimin e luftës nga anë të tjera të botës. Ashtu pritet edhe sivjet. Që “Dokufest” të shfaqë filma që më shumë se gjithçka, shënjestron temat ekzistenciale.