Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni u shpreh sot se “mirëqeverisja, transparenca dhe ndershmëria në shërbimin publik mbeten busulla e pagabueshme drejt Shqipërisë së standardeve evropiane”.
Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, Pirdeni vlerësoi hapat domethënës të institucioneve publike dhe shoqërisë shqiptare në luftën ndaj korrupsionit.
“Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit reflektojmë mbi hapat domethënës të institucioneve publike dhe shoqërisë shqiptare në luftimin e korrupsionit dhe shndërrimin e integritetit në ligj, vlerë dhe praktikë të përditshme”, u shpreh ministrja Pirdeni.
Pirdeni siguroi se “në aleancë të pandërprerë me qytetarët, komunitetet dhe bizneset, vijojmë më të motivuar se kurrë punën për të forcuar parandalimin, gjurmimin dhe ndëshkimin e korrupsionit”.