Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë takuar në Mynih të Gjermanisë në Forumin e Sigurisë përfaqësuesin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, takimi ky i parë mes tyre që nga marrja e detyrës së diplomatit danez, shkruan Reporteri.net.
Osmani e Kurit kanë shkruar në rrjetet sociale pas takimit të parë me Sorensen, ku presidentja ka thënëse dialogu me Serbinë duhet të mbyllet me njohje të ndërsjellë, kurse kryeministri ndër të tjera ka kërkuar që Serbia ta dorëzojë Milan Radojiçiqin.
Presidentja Osmani ka thënë se me Sorensenin diskutuan mbi zhvillimet e fundit në vend dhe pritëshmëritë nga dialogu i Brukselit, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Presidentja ka siguruar se Kosova do të vazhdojë të punojë me aleatët që procesi i dialogut të përmbyllet me njohje të ndërsjellë dhe mbrojtjen e sovranitetit, kushtetutshmërisë dhe integritetit territorial të Republikës.
“Në takimin tim të parë me Përfaqësuesin e ri të BE-së për Dialog, Peter Sørensen, diskutuam mbi zhvillimet e fundit në vend dhe pritshmëritë nga dialogu i Brukselit.
Do të vazhdojmë të punojmë me aleatët tanë që ky proces të përmbyllet me njohje të ndërsjellë dhe mbrojtjen e sovranitetit, kushtetutshmërisë dhe integritetit territorial të Republikës sonë”, ka shkruar Osmani.
Kurse, kryeministri Kurti përmes një shkrimi në rrjetin social X ka treguar për tri kërkesat që i ka në dialog: Serbia duhet ta tërheq letrën e drejtuar EEAS në dhjetor të 2023, ta dorëzojë Milan Radoçiqin, dhe Marrëveshja duhet të nënshkruhet për të parandaluar shkeljet e ardhshme.
“Ne mbetemi të përkushtuar për zbatimin e plotë dhe të shpejtë të Marrëveshjes Themelore dhe aneksit të saj. Serbia duhet të tërheqë letrën e saj të 13 dhjetorit 2023 drejtuar EEAS dhe të dorëzojë Milan Radoiçiq-in për të rikthyer besimin në dialog, ndërsa Marrëveshja duhet të nënshkruhet për të parandaluar shkeljet e ardhshme”, ka shkruar Kurti.
Ndërsa, përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, pas këtyre takimeve, në platformën ‘X’, ku ka shkruar se nga takimet të gjithë kanë rënë dakord për nevojën për të ecur përpara.
“Ne të gjithë ramë dakord për rëndësinë e diskutimeve të hapura dhe nevojën për përparim,” ka shkruar Sorensen.