Sot do të zhvillohen takimet e radhës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi në nivel të kryenegociatorëve nën ndërmjetësimin e emisarit të Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak.
Këshilltari i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, Klisman Kadiu, tha para disa ditësh për Gazetën Express se në fokus të këtyre diskutimeve do të jetë zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, ndërsa tha se pala kosovare do të vazhdojë të jetë konstruktive.
“Javën e ardhshme, më 24 tetor, do të mbahen takimet e radhës në kuadër të procesit të dialogut në Bruksel, në nivel të kryenegociatorit. Në tërësi, fokus i diskutimeve do të jetë rruga përpara në zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj të Ohrit. Kosova do të vazhdojë të jetë konstruktive dhe e angazhuar pozitivisht në proces”, ka thënë ai.
Formati i takimeve do të varet nga diskutimet atje. Megjithatë, herën e fundit kur Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, kryenegociator i palës serbe, ishin në Bruksel nuk pati takim trepalësh më 17 shtator kur u zhvilluan takimet.
Bislimi pas dy takimeve që pati me ndërmjetësin Lajçak kishte thënë se takimi trepalësh nuk u realizua për shkak se pala serbe e “kushtëzoi agjendën e takimit me kërkesa të papranueshme për Kosovën”.
Atë ditë, ZKM kishte njoftuar për takimin duke theksuar se “ura duhet të hapet, pa vonesa të mëtejme”.
“Kjo çështje tashmë është trajtuar e dakorduar në Bruksel, në kuadër të procesit të dialogut, dhe se ajo duhet të hapet sipas marrëveshjes ekzistuese, ku edhe cilësohet si simbol i normalizimit” thuhej në njoftim.
Megjithatë, Petkoviq e kishte akuzuar Bislimin se nuk ka pranuar të takohet me palën serbe për shkak të insistimit të tij në tema si Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
Ndërsa, Lajçak kishte shprehur keqardhje për mosrealizimin e një takimi trepalësh.
“Prita sot në Bruksel dy kryenegociatorët, të Kosovës dhe të Serbisë, si dhe delegacionet e tyre për takime të ndara. Më vjen keq që nuk i trajtuam çështjet më urgjente në një format trepalësh sot. Unë mbetem në dispozicion të palëve dhe do të vazhdojmë në javët në vijim”, kishte shkruar atëherë Lajçak.
Sot për zbatim të Marrëveshjes së Ohrit ka folur këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfaj, i cili duke iu referuar letrës së ish-kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, ku thoshte se Serbia tërhiqet nga marrëveshja, tha se fillimisht duhet të ketë kthim të besimit të marrëveshja dhe më pas zbatim të plotë të saj.
“Marrëveshjen që e kemi arritur vitin e kaluar, qëndrimi i Kosovës është që ajo duhet të ketë zbatim të plotë dhe se në këtë drejtim duhet se pari të kemi një plan të sekuencimit për të cilin është duke punuar zëvendëskryeministri dhe kryenegociatori Besnik Bislimi”, tha Zulfaj, duke shtuar: “Përderisa ata kanë dalë nga marrëveshja duhet që të kthehet besimin në marrëveshje dhe pastaj zbatimin plotë i saj. Nuk mund të ketë zbatim të pjesshme, por zbatim të plotë”.