Shifrat në rritje të rasteve të dhunës dhe vrasjeve të grave në muajt e parë të vitit kanë detyruar Policinë e Shtetit të ngrejë një strukturë të posaçme që do të merret vetëm me çështje të tilla. Behet fjalë për një shërbim policor në të cilin do të punësohen edhe ekspert të fushave të tjera
Bedrie Loka i dha fund jetës në Durrës pas dhunës ekstreme të bashkëshortit, Xhemal Loka, e cila u provua falë disa videove të xhiruara nga djali i saj i mitur. Po në Durrës, e gjithë familja u përfshi në vrasjen e kryefamiljarit Pëllumb Meta, dhe shkak dyshohet të jetë bërë dhuna ushtruar ndër vite nga viktima. Në Shkodër, dhuna psikologjike dhe tradhtia nga bashkëshorti Erdgys Arrazi, çuan Almën 39 vjeçe në veprimin ekstrem për të mbytur veten dhe 3 fëmijët e saj të mitur në ujërat e lumit Buna.
Këto ngjarje të regjistruara në harkun kohor të 4 muajve, tronditën të madh e të vogël në të gjithë vendin. Treguan emergjencën për të ndërhyrë të gjithë si shoqëri për të ndryshuar një realitet që sa vjen dhe shtohet në raste ekstreme dhune që përfundojnë në fatalitete.
Në Policinë e Shtetit, po punohet për ngritjen e një strukture të posaçme, e cila do të jetë e specializuar vetëm për dhunën në familje. Bëhet fjalë për një organ të ri që do të ngrihet nga e para për të menaxhuar më në detaje rastet e raportuara të dhunës, ndjekjen e tyre në mënyrë të vazhdueshme dhe mbi të gjitha funksionimin e urdhrave të mbrojtjes me vendim gjykate, të cilat në jo pak raste kanë treguar se nuk e kanë ndaluar dhunën, përkundrazi shërbyen për ta përkeqësuar. Deri tani rastet e dhunës janë trajtuar në nivel komisariati.